Kryetarja e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Alma Liçaj u akuzua për fshehje dhe mungesë burimesh financiare për pasurinë e saj që përbëhet nga një shtëpi dhe 5 apartamente në Vlorë dhe Tiranë-ndërsa ajo preferoi të shmangte shpjegimet duke i qëndruar argumenteve të dorëzuara me shkrim.
Pikëpyetjet mbi një listë të gjatë pasurish me origjinë të paqartë mbetën pa përgjigje të martën, në përballjen e kryetares së Gjykatës së Apelit të Vlorës, Alma Liçaj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Gjyqtarja me karrierë 18-vjeçare zgjodhi t’u qëndronte përgjigjeve me shkrim dërguar Komisionit, pa sqaruar në seancën publike akuzat për deklarime të pasakta, mungesë burimesh financiare dhe fshehje të pasurisë, të ngritura si nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ashtu edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Procesi i vetingut për kryetaren e Gjykatës së Apelit të Vlorës përfshiu vetëm kriterin e pasurisë, ndërsa KPK hodhi poshtë një kërkesë të saj për vlerësimin e dy kritereve të tjera. Sipas trupës gjykuese të drejtuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin, argumentimi për rrëzimin e kërkesës së gjyqtares Liçaj do të gjendej në vendimin e zbardhur.
Sipas relatores Xhensila Pine, gjyqtarja Alma Liçaj dhe bashkëshorti i saj zotërojnë një shtëpi me sipërfaqe 120 m2 të ndërtuar mbi truall 215 m2 në Vlorë, një apartament 71.80 m2 po në qytetin e Vlorës, dy apartamente në Tiranë të blera për 97 664 euro dhe 60 mijë euro si dhe dy njësi banimi me sipërfaqe 43 m2 dhe 95 m2, së bashku me një garazh prej 35 metrash katrorë në qytetin e Vlorës.
Gjithashtu, gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar si origjinë të këtyre pasurive borxhe të marra nga persona të tretë në vlerat 60 mijë euro, 30 mijë euro, 70 mijë euro dhe 12 mijë euro, ndërkohë që në vitin 2016, bashkëshorti i gjyqtares ka përfituar me kontratë dhurimi nga vëllai pasuritë me sipërfaqe 43 m2, 95 m2 si dhe garazhin me sipërfaqe 35 m2 në qytetin e Vlorës.
Relatorja Xhensila Pine tha në seancë se për apartamentin me vlerë 97.664 euro, të blerë në Tiranë në vitin 2009 deklarohet si burim borxhi prej 60 mijë eurosh, huaja e marrë te kunati prej 12 mijë eurosh si dhe një zbritje prej rreth 25 mijë eurosh në çmim nga kompania e ndërtimit.
Përveç mospërputhjes së deklarimeve të bëra në vitin 2009 dhe atë për efekt të vetingut, gjyqtares Liçaj i kaloi barra e provës për mungesën e burimeve financiare për vitin 2009, mungesën e dokumenteve për borxhin 60 mijë eurosh, mosdeklarimin për 5 vite të borxhit ndaj kunatit si dhe justifikim të punimeve të kryera, me të cilat motivohet ulja e çmimit nga kompania.
Gjyqtares iu kërkua gjithashtu të vërtetonte me dokumente huatë e tjera prej 30 mijë eurosh dhe 70 mijë eurosh, të cilat janë deklaruar si burime për shtimin e pasurisë si dhe të sqaronte me dokumentacion mënyrën se si bashkëshorti kishte përfituar një apartament nga ndërmarrja e Elektrikut si dhe shtëpinë dhe truallin në Vlorë nga Komiteti Ekzekutiv.
Pasuritë e përfituara në vitin 2016 përmes një kontrate dhurimi nga vëllai i bashkëshortit të gjyqtares Liçaj u vendosën gjithashtu në fokusin e hetimit administrativ, edhe për shkak se dhuruesi Artan Liçaj është gjithashtu subjekt i deklarimit të pasurisë.
Sipas relatores Pine, në deklaratën e pasurisë së Artan Liçajt nuk rezulton t’i ketë dhuruar të vëllait pasuritë 43 m2, 95 m2 si dhe garazhin 35 m2, ndërkohë që burimi për krijimin e këtyre pasurive mbetet i paqartë.
Gjyqtarja Alma Liçaj u akuzua se kishte fshehur pronësinë e aksioneve të bashkëshortit, i cili zotëron 34 për qind në kompaninë Arnela Construkt si dhe iu kërkuan shpjegime për shit-blerjet e çuditshme të makinave, prej nga bashkëshortët deklarojnë se kanë përfituar të ardhura të konsiderueshme.
Çifti Liçaj ka deklaruar se një makinë Benz të blerë për 50 mijë lekë në vitin 2003 e kanë shitur 10 vjet më vonë për 15 mijë euro, ndërsa një makinë të dytë të së njëjtës markë e kanë blerë për 600 mijë lekë dhe e kanë shitur për 20 mijë euro. Sipas llogarive të kryera nga BIRN, familja e gjyqtares deklaron se ka përfituar 5.8 milionë lekë në total nga blerjet e lira dhe shitjet e kripura të makinave.
Pas relatimit të problemeve me pasuritë e saj, Liçaj e pa me vend të mos zgjatej para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
“U qëndroj shpjegimeve me shkrim, ku kam analizuar të gjitha konstatimet dhe gabimet e Komisionit dhe kam bashkangjitur provat,” tha ajo në fund të seancës dëgjimore. Ndaj gjyqtares Liçaj munguan gjithashtu edhe pyetjet nga anëtarët e Komisionit, përfshirë edhe procedurën rutinë të konkluzioneve përfundimtare, që shfrytëzohet zakonisht nga subjektet për të kërkuar konfirmimin në detyrë.
Seanca u ndërpre me tërheqjen e trupit gjykues për vendim; i cili u paralajmërua të shpallej mesditën e 15 nëntorit. /BIRN