Tritol makinës në Tiranë, objektiv i atentatit eshtë kunati i shumë të kërkuarit. Emri

0
74

Tirana u trondit mëngjesin e kësaj të premte nga një shpërthim tritoli në një automjet luksoz tip “Mercedes Benz”. Shpërthimi ka qenë i telekomanduar dhe për pak sa nuk i ka marrë jetën pronarit të makinës, Artan Bylyku. Në automjetin e tij luksoz ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi e cila shpërtheu në kohën kur Bylyku po hapte derën e mjetit të tij luksoz.

Ngjarja ndodhi rreth orës 7:30 minuta duke shkatuar edhe panik për banorët e zonës së frigoriferit në rrugën “Ramazan Bogdani” në Tiranë. Bylyku rreth 50 vjeç, fatmirësisht nuk pësoi dëmtime. Objektivi i atentatit është person pa precedentë penal.

Image

Ai është kunat i Domart Konjarit, një emër i njohur për policinë i cili i ka shpëtuar drejtësisë shqiptare dhe asaj franceze. Konjari është në arrati ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”.

Domart Konjari u arrestua në nëntor të vitit 2015, për llogari të autoriteteve franceze por pesë muaj më vonë, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit ndaj Konjarit, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”.

Image

Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim. Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani. Hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste, 42-vjeçari Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë.

Në dosjen e tij, Konjari akuzohet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa atentativa dhe vrasje për trafikun e drogës në 20 vitet e fundit mes Shqipërisë dhe Francës. Rasti i fundit ishte vrasja e Devi Kasmit në Tiranë, e cila dyshohej se ishte kryer me porosi të Konjarit.

Nuk është çudi që edhe tritoli që shpërtheu në makinën Bylykut të ketë lidhje me figurën e kunatit të tij Konjari.