Një sasi e vogël tritoli ka shpërthyer në mesnatë në shtëpinë e shefit të postës policore në Theth, Prel Milani. Nga ngjarja fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, por vetëm një pak dëme materiale. Lënda plasëse ishte vendosur në një kasolle pranë shtëpisë së Milanit, në lagjen ‘Guerrile’ në Shkodër. Nga hetimi është mësuar se Prel Milani nuk ka qenë në banesën e tij, në kohën e shpërthimit, pasi ai sapo kishte dalë dhe po shkonte drejt punës në Theth.
Ai e ka dëgjuar shpërthimin e fuqishëm, por fillimisht nuk ishte kthyer në shtëpinë e tij. Në deklaratën e tij në polici, oficeri Prel Milani ka thënë se e ka dëgjuar shpërthimin, por ka vijuar rrugën sepse nuk ka menduar që bëhet fjalë për banesën e tij. Pas pak kohësh është njoftuar nga familjarët të cilët ndodheshin në banesë dhe është kthyer menjëherë.
Ndërkohë sipas dëshmisë së Milanit në policia ka thënë se nuk ka patur konflikte, por dyshon se ky sulm i ka ardhur si pasojë e detyrës si shef stacioni policor në Theth.