Agron Tufa, drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka publikuar dje një ngjarje të tmerrshme të ndodhur në vitin 1974. Protagonist i historisë është një inxhinier, të cilit i kërkohet të bashkëpunojë me Sigurimin dhe të spiunojë shokët. Duke qenë se ai nuk pranon, para syve të tij, dy hetuesit i përdhunojnë bashkëshorten dhe të bijën 15 vjeçe. I ndodhur para lutjeve për ndihmë të vajzës së tij, ai pranon të bëjë çdo gjë që i kërkojnë. Por pas syve të tij, ndodh më e tmerrshmja. Vajza dhe e shoqja i japin fund jetës, pas tmerreve.
Më poshtë rrëfimi i plotë i Agron Tufës për inxhinierin.
Agron Canaj, një inxhinier elektrik me interesa për librat, një mesnatë tetori 1974 arrestohet nga Sigurimi, që kërkon prej tij një deklaratë bashkëpunimi me të. I vendosur në kundërshtimin e tij, mbas dy muajsh i thirrur një mbrëmje në zyrën e hetuesit, gjendet para një skene të llahtarshme: bashkëshortja 42-vjeçare dhe vajza 15 vjeçe dhunohen seksualisht nga dy hetuesit para syve të tij që është i lidhur e nuk mund të lëvizë. Thirrjes për ndihmë të vajzës nuk mundet t’i qëndrojë më: “N’atë çast nuk durova më. Logjika nuk kishte më forcë”. Pranon të bëjë kompromisin me djallin e të padisë veten dhe shokët për biseda të lira, të cilat kishin si bosht alternativat që jepte regjimi: “Ose të ruanim personalitetin tonë, ose të ktheheshim në lakenj që gëzonin frutet e servilizmit të tyre”.
Pasojat janë të menjëhershme, shokët arrestohen, zhvillohet gjyqi, njëri ekzekutohet, tjetri merr 12 vjet burg, ndërsa Agroni dhjetë të tillë. Dërgohet në Spaç, ku gjen një mjedis tepër të ftohtë, sepse “Atje shoku im nuk pranoi as të më fliste me gojë. Për të unë isha një tradhtar. Ndoshta kishte të drejtë, por ai nuk i dinte kushtet që më detyruan ta bëja një gjë të tillë. “Mbas gjashtë muajsh nëna, e plakur shumë, i vjen në takim, për t’i thënë se gruaja dhe vajza ‘ndodheshin në qiell’. Do të njohë të vërtetën e plotë mbas dhjetë vjetësh, kur kthehet në shtëpi e gjen nënën, i vetmi njeri që i qëndroi pranë në tragjedinë e tij. E vërteta është e shkruar në një copë letër të Lumturisë, bashkëshortes fatkeqe:
“I dashur Agron!
Në çastin që po të shkruaj këto radhë kam pirë lëngun vdekjeprurës. Fuqitë po më lenë. Në momentet e fundit dua të tregoj shkaqet e veprimit tim. A e mban mend natën e Sigurimit? Ajo nuk mbaroi atje ku e le ti. Akti i fundit u luajt pasi na hoqën nga ajo dhomë. Ne u bëmë pre e akteve shtazarake t’atyre dy banditëve. Kur u kthyem në shtëpi Irida ishte çmendur, ndërsa un isha e çoroditur. Vajzën u detyruam t’a shtrojmë në spitalin psikiatrik, ku i dha fund jetës së saj të njomë.
Pas disa ditësh vura re se në barkun tim po rritej fëmija e një krimineli. Ky fakt dhe turpi që ndiej për të dalë para syve të tu më detyruan të marr vendimin e vetëvrasjes.
Të puth me mall për vete dhe për Iridën. E jotja Lumturia”.