Trump anulon vizitën në Danimarkë, shkak Groenlanda

0
7
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ishulli i Groenlandës është bërë shkak për anulimin e një takimi të planifikuar të kryeshtetarit amerikan në Danimarkë. Donald Trump shprehu zhgënjim ndaj palës daneze që refuzon diskutimin për një shitje të mundshme të territorit arktik që ajo zotëron prej më shumë se dy shekujsh.

Presidenti Donald Trump ka anuluar një vizitë shtetërore në Danimarkë pasi vendi refuzoi që të diskutojë për shitjen e ishullit arktik të Groenlandës te pala amerikane.

Ideja për blerjen e territorit autonom danez qarkulloi fillimisht në medie fundjavën e kaluar por u konfirmua edhe nga kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Ai  shtoi se do të ishte në interesin strategjik të Amerikës që ta blinte, edhe pse Danimarka po humbiste çdo vit gati 700 milionë dollarë për ta mbajtur nën zotërimin e saj.

Gjatë një vizite në vend me homologun groenlandez, kryeministrja Mete Frederiksen deklaroi se ideja ishte absurde dhe Groenlanda nuk është në shitje.

“Kryeministrja na ka kursyer mjaft shpenzime dhe përpjekje, si SHBA-së, edhe Danimarkës, me gjuhën e saj direkte. Unë e falënderoj dhe pres që takimi ynë pas dy javësh të ricaktohet dikur në të ardhmen,” informoi Trump përmes një postimi në Twitter.

Ishulli më i madh në botë i Groenlandës ka rreth 56 mijë banorë që jetojnë në brigje dhe qeverisen në mënyrë të pavarur nga qeveria dhe parlamenti i Danimarkës.

Më shumë se 80 për qind e sipërfaqes ishullore është e mbuluar me akull, por në brendësi mendohet se toka është e pasur me hidrokarbure dhe burime natyrore.

Vendi ka edhe rëndësi strategjike ushtarake për identifikimin e raketave balistike ndërkontinentale që besohet se do të kalojnë mbi Oqeanin Arktik.

Shtetet e Bashkuara tentojnë prej viteve 1800 që ta aneksojnë ose blejnë ishullin akullnajor, por autoritetet daneze dhe ato lokale në vijimësi kanë refuzuar ofertat.

Zjarr Tv Ad