Presidenti Donald Trump sulmoi Kinën në Twitter të premten, duke thënë se ai do t’i përgjigjej shumë shpejt tarifave të vendosura nga Kina ndaj mallrave amerikane me vlerë prej 75 miliardë dollarësh.
Kina njoftoi gjithashtu se do të rifillojë t’u vërë tarifën prej 25 për qind automjeteve amerikane, si shpagim ndaj planit të Presidentit Trump për të taksuar mallrat kineze duke filluar nga 1 shtatori.
Tarifat kineze për disa produkte amerikane do të hyjnë në fuqi më 1 shtator ndërsa të tjerat më 15 dhjetor.
Në reagimin e tij, Presidenti Trump përsëriti argumentin se Amerika prej vitesh humbet triliona dollarë në tregtinë me Kinën dhe mes të tjerash e ka lejuar Kinën të vjedhë pasurinë intelektuale amerikane.
Ai tha se Kina synon të vazhdojë në këtë rrugë, por se ai nuk do ta lejojë këtë të ndodhë.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se “Ne nuk kemi nevojë për Kinën dhe do të ishim shumë më mirë pa të.”
Ndërkaq, ai u bëri thirrje kompanive amerikane të kërkojnë mënyra për t’i mbyllur operacionet e tyre në Kinë dhe të prodhojnë më shumë mallra në Shtetet e Bashkuara. Ligjërisht, presidenti nuk mund t’i detyrojë kompanitë amerikane të ikin nga Kina dhe në fakt ai nuk dha hollësi se si mund ta bëjë këtë.
Komentet e tij shkaktuan rënien e tregjeve amerikane të aksioneve sot paradite.
Ekspertët thonë se administrata mund të përdorë politikat e taksave, tarifat apo sanksionet për të ulur ose eliminuar aktivitetin e kompanive amerikane në Kinë, por do të duheshin shumë vite që këto politika të japin rezultat nëse zbatohen.
Disa vende si Vjetnami dhe Meksika kanë përfituar nga lufta tregtare mes dy gjigantëve, sepse shumë kompani amerikane po i zhvendosin atje operacionet e prodhimit që i kanë mbyllur në Kinë për shkak të tarifave.
Ndërkaq, SHBA dhe Kina nuk i kanë ndryshuar planet për të zhvilluar një raund bisedimesh tregtare ballë për ballë muajin e ardhshëm.
Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Larry Kudlow tha se diskutimet e kësaj jave midis negociatorëve në nivel zëvendësash ishin konstruktive.
Kina dhe SHBA janë përfshirë në një betejë tarifash që ka prekur tregjet botërore.
Analistët shqetësohen se një luftë tregtare mes dy vendeve mund t’i çojë Shtetet e Bashkuara drejt një recesioni.