Trump pritet të shpallë kandidaturën për President për herë të tretë, ja cfarë ndodh tani…

0
71
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-presidenti, Donald Trump po përgatitet të martën të nisë fushatën e tij të tretë për të kandiduar për president, megjithë humbjen zhgënjyese të kandidatëve të mbështetur prej tij në zgjedhjet për Kongresin, e duke kërkuar të sfidojë historinë, pavarësisht shenjave se kontrolli i tij në Partinë Republikane po zbehet.

Zoti Trump shpresonte të përdorte atë që mendohej të ishte një fitore e thellë e republikanëve në zgjedhjet e 8 nëntorit, si një trampolinë për kandidimin e tij, duke siguruar një mbështetje të hershme me synimin për të mbajtur larg rivalët e mundshëm. Por ai po përballet me kritika për mbështetjen e një sërë kandidatësh humbës pas rezultateve zhgënjyese, që u dhanë demokratëve shumicën e vendeve në Senat.

“Shpresojmë që e nesërmja të jetë një nga ditët më të rëndësishme në historinë e vendit tonë!” shkruante zoti Trump në rrjetin e tij social të hënën. Njoftimi pritet të bëhet sonte në orën 9 të darkës nga resorti i tij në Palm Beach të Floridës.

Zhvillimi i një tjetër fushate për Shtëpinë e Bardhë, është një kthesë e jashtëzakonshme për çdo ish-president, aq më shumë për një ish-president që bëri histori, si i pari ndaj të cilit u ngritën dy herë akuza në Kongres për ta shkarkuar. Po kështu zoti Trump e mbylli mandatin mes një sulmi të dhunshëm të mbështetësve të tij ndaj Kapitolit, që synonte të ndërpriste tranzicionin paqësor të pushtetit.

Vetëm një president në historinë e vendit është zgjedhur në dy mandate jo të njëpasnjëshme: Grover Cleveland në vitin 1884 dhe 1892.

Zoti Trump po përballet gjithashtu me një seri hetimesh penale që po intensifikohen, mes tyre një hetim i Departamentit të Drejtësisë lidhur me qindra dokumente të klasifikuara, që u zbuluan në rezidencën e tij në Mar-a-Lago.

Ndihmës dhe aleatë të tij, i kanë kërkuar zotit Trump të presë përfundimin e zgjedhjeve, si dhe balotazhin në Xhorxhia në garën për Senatin që mbahet me 6 dhjetor, përpara se të bëjë publike planet e tij për të kandiduar.

Por zoti Trump, i etur për t’u kthyer në qendër të vëmendjes, shpreson gjithashtu që me këtë hap të krijojë një avantazh ndaj një listë të gjatë sfiduesish të mundshëm, mes tyre guvernatori i Floridës Ron DeSantis. Ky i fundit u rizgjodh javën e kaluar dhe tashmë shumë vetë në partinë republikane po kërkojnë kandidimin e tij për president.

Zoti Trump është përpjekur të fajësojë udhëheqësin republikan të Senatit Mitch McConnell mbi rezulatin e zgjedhjeve. Ndërkohë aleatët e zotit McConnell kanë kritikuar senatorin e Floridës Rick Scott, i cili kryesonte komisionin elektoral të republikanëve për Senatin.

Megjithatë, pjesa më të madhe e kritikave ka shkuar në adresë të Donald Trump-it. Ai fajësohet për mbështetjen e kandidatëve në shtete si Pensilvania dhe Arizona, të cilët nuk ishin tërheqës për votuesit, pasi kishin përqafuar gënjeshtrat e tij mbi zgjedhjet e vitit 2020, ose mbronin pikëpamje të vijës së ashpër për çështje si aborti, që binin në kundështim me qasjen e përgjithshme të popullsisë.

Zjarr Tv Ad