‘Ndërtimi i murit në kufirin jugor me Meksikën do të nisë brenda disa muajve dhe qeveria meksikane do të na rimbursojë për kostot e tij’, ka qënë kjo deklarata e Donald Trump, e bërë gjatë intervistës së parë të dhënë nga Shtëpia e Bardhë. Lideri i Uashingtonit tha ndër të tjera se Meksika nuk do të paguajë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në një mënyrë disi të komplikuar, e cila nuk është përcaktuar ende. Trump bëri një tjetër deklaratë të bujshme kur tha se mbështet torturat ndaj terrorsitëve në funksion të grumbullimit të informacioneve të vlefshme.
Në intervistën e parë të dhënë për mediat nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë edhe njëherë të qarta synimet për ndërtimin e murit përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën.
Lideri i Uashingtonit u shpreh se struktura do të nisë të ndërtohet brenda disa muajve dhe se qeveria meksikane, në një formë apo në një tjetër, do t’a rimbursojë administratën amerikane.
“Unë thjesht do të them se do të ketë një pagesë nga qeveria meksikane, do të ndodhë në një mënyrë apo në një tjetër, mbase do të ndodhë në një mënyrë të komplikuar. Duhet të kuptosh se ajo që unë synoj të bëj nuk është vetëm në të mirë të Shteteve të Bashkuara, por edhe në të mirë të Meksikës. Ne na intereson të kemi një Meksikë stabël.”
Kur do të nisin punimet pyet moderatori i ABC News, David Muir.
“Sa më shpejt që të mundemi. Sa më shpejt që diçka e tillë është fizikisht e mundur. Mund të them se brenda disa muajve gjithçka do të nisë”.
Më tej, Trump foli edhe për torturën, duke u shprehur se e mbështet aplikimin e një praktike të tillë ndaj terroristëve për të grumbulluar informacione të vlefshme.
“Kur ata po qëllojnë, kur po presin kokat e njerëzve tanë. Kur ata presin kokat e personave të ndryshëm vetëm për faktin se ndodh që në Lindjen e Mesme të ketë edhe të krishterë, kur ISIS po bën gjëra për të cilat askush nuk kishte dëgjuar që nga epoka mesjetare, a nuk më bën kjo që të mbështes aplikimin e torturave ndaj tyre? Mund të them se duhet t’a luftojmë zjarrin me zjarr. Kam folur me zyrtarët më të lartë të mbrojtjes dhe të inteligjencës. I kam pyetur nëse tortura mund të jetë efektive. Përgjigjia e tyre ishte: Po, absolutisht.”
Deklarata e Trump u prit edhe njëherë me kritika të ashpra nga një pjesë e opinionit si dhe nga grupet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të cilët shprehen se kjo nuk është forma e duhur për luftimin e terrorizmit.