Trupi i Nënkomisarit Saimir Hoxha dërgohet drejt varrezave të dëshmorëve/ La pas dy fëmijë 1 dhe 3-vjeç…

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas homazheve që u mbajtën në Pallatin e Kongreseve, trupi i pajetë i nënkomisarit Saimir Hoxha, po dërgohet drejt Varrezave të Dëshmorëve, ku do të mbahet dhe një fjalim nga Ministri Bledi Çuçi dhe drejtori i policisë Ardi Veliu. Hoxha la pas prindërit, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij 1 dhe 3-vjeç, teksa ka rënë në krye të detyrës.

Në nderim të tij, u mbajtën homazhe nga krerët më të lartë të shtetit, si dhe miq e familjarë të shumtë për ndarjen e parakohshme nga jeta të 44-vjeçarit. Presidenti Meta tha gjatë fjalës së tij, se policia e shtetit duhet mbështetur dhe përkrahur ndërkohë që në të njëjtën vijë qëndroi dhe Lulzim Basha, i cili tha se punonjësit e policisë janë të braktisur.

Kryeministri Edi Rama, nga ana e tij tha se qeveria do të bëjë të pamundurën, për të mbështetur financiarisht familjen e të ndjerit Hoxha.

“Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të policisë dhe për shoqërinë. Por mbi të gjitha për familjen. Jam për të shprehur ngushëllimet vllazërore familjes dhe të gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë dëshmor të ri të atdheut. Dua t’ju bëj me dije se qeveria sot ka vendosur mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen.

Me të hyrë në fuqi ligji për fëmijët nën kujdesin e republikës, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri kur të arrijnë në moshën e pjekurisë. Nuk ka mbështetje që kompenson humbjen për familjen por përgjegjësia jonë është që fëmijët e dëshmorëve të mos mbeten vetëm, por të ndihen deri në fund të përkrahur për të hyrë në rrugën e jetës së tyre, duke qenë krenar jo vetëm për prindin, por edhe shtetin”, tha Rama pas homazheve.

Zjarr Tv Ad