Turqia hapi kufijtë, Erdogan: Nuk na besuan pesë muaj më parë

0
300
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shtetet fqinje të Turqisë, Greqia dhe Bullgaria, vazhdojnë të forcojnë vigjilencën kufitare teksa mijëra emigrantë po tentojnë kalimin. Presidenti Erdogan thotë se portat e shkarkimit të refugjatëve do të qëndrojnë të hapura deri në përmbushjen e zotimeve politike e financiare të Bashkimit Europian.

Rreth 18 mijë emigrantë mendohet të kenë vërshuar në kufijtë grekë e bullgarë nga Turqia pas vendimit për të ulur barrierat për azilkërkuesit.

Ankaraja thotë se nuk ka më kapacitetet por as mbështetjen ndërkombëtare për të strehuar rreth 3,7 milionë të ardhurit nga vendet e luftës në vend.

Ndërsa emigrantët apelojnë për ndihmë, Greqia dhe Bullgaria kanë deklaruar se nuk do i pranojnë refugjatët ilegalë.

“Ka numër të madh policësh dhe oficerësh, kemi pak shpresa se do na lënë të kalojmë. I bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë dhe të na ndihmojë sepse situata është tragjike,” shprehet një 24-vjeçar sirian nga qyteti verior i Alepos.

“Jam këtu së pari sepse dua të punoj. Kur punoja ia dërgoja paratë familjes në Siri, vëllait tim të plagosur dhe prindërve që varen nga unë. Këtu nuk ka punë,” shton bashkëkombësi i tij edhe më i ri.

Përveç kufijve tokësorë, një rrugë tjetër më e vështirë për emigrantët mbeten lundrimet me barka drejt ishujve grekë, që edhe të dielën për pak rrezikuan të mbyten pa ndihmën e autoriteteve.

Kufiri detar mes Turqisë e Greqisë është qindra kilometra i gjatë, ndërsa ai tokësor rreth 160 kilometra, i pajisur me pengesa natyrore si lumenjtë por së fundmi edhe i përforcuar me kamera termike dhe patrulla më të shumta.

Një ditë më parë forcat e kufirit u përplasën me azilkërkuesit duke lëshuar drejt tyre gaz lotsjellës ndërsa popullsia e shpërngulur kundërpërgjigjej me gurë.

Kriza e re migratore u provokua nga sulmi i së enjtes që la të vrarë 33 ushtarë turq në veriperëndim të Sirisë, ku po luftohej për krijimin e zonave të sigurta për kthimin në vendlindje të refugjatëve sirianë.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan thotë se situata do vijojë deri në përmbushjen e zotimit nga pala europiane, që ende nuk ka ofruar ndihma financiare për të përballuar valën e emigrantëve në Turqi.

Zjarr Tv Ad