Ndërkohë që kanë kaluar 4 ditë nga marrja e detyrës së Presidentit të Republikës Ilir Meta, ende vijojnë mesazhet e urimit nga personalitetet ndërkombëtare.
Sot Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, kanë uruar Metën për detyrën e re si kreu i shtetit.
Në një telegram të përbashkët thuhet se Shqipëria po përballet me sfida të cilat duan konsensus ndër-partiak për reformat e kërkuara.
“Shkëlqesi, ju lutemi pranoni urimet tona të sinqerta për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Sfidat politike me të cilat Shqipëria po përballet aktualisht kërkojnë një konsensus të fortë ndër-partiak për vlerat evropiane dhe politikat e reformat përkatëse.
Shpresojmë se ju do të ndihmoni për ta çuar vendin përtej përçarjeve politike dhe se Shqipëria shumë shpejt do të përmbushë pesë Përparësitë Kryesore, në mënyrë që të plotësohen kushtet për hapjen e negociatave.
Në mars, Këshilli Evropian, përsëriti mbështetjen e tij pa mëdyshje ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar mes çështjesh të tjera, rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Në këtë kontekst, dëshirojmë t’ju sigurojmë rreth përkushtimit tonë për vazhdimin e mbështetjes së vendit tuaj ndaj kryerjes së reformave dhe projekteve të orientuara drejt Bashkimit Evropian! Shpresojmë dhe presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë, në mënyrë që Shqipëria të mundësohet për të përparuar në rrugëtimin e saj evropian!”, – shkruhet në telegramin e përbashkët urues për Presidentin Meta.