Tusk: Maqedonia e Veriut e bëri të veten, tani e ka radhën Evropa

0
4

“Republika e Maqedonisë së Veriut e bëri të veten, tani radhën e ka Evropa që të përfundoj pjesën e saj”. Kështu u shpreh kreu i Këshillit të Evropës, Donald Tusk gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Tusk kujtoi në Marrëveshjen e Prespës, ballafaqimin me krizën e migrantëve dhe tejkalimin e krizës politike në vend.

“Mbetem në qëndrimin që kam shprehur edhe në qershor, se vendi juaj gjatë dy viteve të fundit bëri gjithçka që Europa priste nga ju për t’i filluar negociatat, në pajtim me rekomandimet e Komisionit Evropian. Kjo është edhe më tej bindja ime, vendi i juaj bëri çmos…Shkupi është vendi më i mirë nga ku dua të apeloj deri tek liderët e BE-së, tani ju duhet ta përmbushni pjesën tuaj, sepse Republika e Maqedonisë së Veriut tanimë ka mbaruar pjesën e saj”, tha Tusk, raporton Alsat-m.

Nga ana e tij kryeministri Zaev deklaroi se përpjekja e vendit të tij do të kurorëzohet me hapjen e negociatave në tetor.

“Sot kemi nder që ta presim mikun tone kreun e këshillit të Evropës z. Donald Tusk, i cili asnjëherë nuk ndaloi duke mbështetur rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së. Shpresojmë që këtë interes të përbashkët ta kurorëzojmë në tetor. Pas 10 rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe rezultatet që arritëm, gjithnjë e më shumë jemi të bindur që t’i sfidojmë të gjitha pengesat për fillim të negociatave”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër sipas të cilit rasti “Reket” paraqet test për institucionet e drejtësisë në vend.