22-vjeçarja e cila u përfshi në aksidentin në aksin Fier-Seman ka humbur jetën. Ky lajm është konfirmuar nga familjerët e të resë, ndërsa një postim plot dhimbje është bërë edhe në faqen e shkollës së mesme profesionale “Petro Sota”, nxënëse e së cilës Ergesa Ibrushi ka qenë.
“ Me hidhërin të madh ne, si staf pedagogjik i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, për largimin e parakohëshm nga jeta të ish nxënëses tonë Ergesa! Vajza model që me sjelljen e saj dhe përkushtimin që kishte ndaj shkollës ka lenë gjurmë te secili prej nesh. Ishte vajza që me mirësinë dhe sinqeritetin e saj ishte gjithmonë pranë shokëve dhe shoqeve! Ashtu do mbetesh në sytë tanë, në shpirtin tonë Ergesa. I paharruar kujtimi saj! Lamtumirë e bukura jonë Erges”, shkruhet në postimin e shkollës.
Kujtojmë se aksidenti i rëndë ndodhi më 5 maj në zonën e Fermës në aksin Fier-Seman, një makinë tip “Seat” u përplas me një mur dhe për pasojë 22-vjeçarja Ergesa Ibrushi bashkë me shoqen e saj mbetën të plagosura.
Burime për mediat bëjnë me dije se pasagjerja, vajza me të cilën Ibrushi po udhëtonte ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore.