Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla, reagon disa orë pas fotove që ai vetë publikoi në rrjetet sociale për një rrugë rurale që kishte ndërtuar në territorin e Bashkisë që drejton. Mënyra e ndërtimit të rrugës bëri që ato të “merrnin dhenë” dhe u kthyen në objekt talljeje e satire në internet. “Që në krye të herës e them hapur se njerëzit duhet të zbresin në realitet, me këmbë në tokë, të njohin vendin ku jetojnë, mundësitë dhe pamundësitë e tij, të të afërmve të tyre e të mos fshihen në prapaskenën e telefonëve celularë që mbajnë në duar.
Duam apo s’duam, pa përjashtuar edhe veten time nga përgjegjësia që kam e mund të kem pasur ndër vite, Shqipëria jonë është kjo, me qytete që lënë për të dëshiruar, me fshatra të harruar, me rrugë të pashtruara, me probleme pafund në shëndetësi, arsim, kulturë e kudo tjetër”, shkruan ai ndër të tjera. Lefter Alla thotë se Bashkia që ai drejton ka në dispozicion vetëm dy fadroma.
“Po, zotërinj, po! Me vetëm dy fadroma që kanë punuar pa pushim në shtatë ditë të javës bëmë atë që s’ishte bërë në pothuajse tre dekada nga paraardhësit e mi në detyrë. Me vetëm dy fadroma të bashkisë arritëm tek të gjithë, duke vlerësuar njeriun e dinjitetin e tij, e duke përçmuar çdo praktikë të shëmtuar që ndër vite i ka kategorizuar atë në të nënës e të njerkës”, vijon kryebashkiaku.
Reagimi i plotë i Lefter Allës, kryetar i Bahskisë së Bulqizës:
Në përgjigje të atyre që jetojnë në Instagram
Nga pasditja e djeshme (e enjte, 17 nëntor), kam ndjekur me shumë kureshtje reagimet pafund që mbushën rrjetet sociale rreth një postimi në faqen time për bashkëpunimin me banorë të lagjes Zogu në Dragu për të realizuar një rrugë modeste e të paprekur asnjëherë më parë.
Sigurisht që detyra e një kryebashkiaku është t’u gjendet pranë bashkëqytetarëve të tij në çdo nevojë që kanë, e vogël apo e madhe qoftë, qofshin shërbime të thjeshta publike, apo infrastrukturë rrugore, furnizim me ujë, shërbime shëndetësore, investime në arsim, në bujqësi e gjithçka tjetër. E padyshim, ju siguroj se çdo kryebashkiak, qoftë edhe për ambicie apo ego personale, do të dëshironte të bënte më të mirën në të gjitha këto, duke e kthyer bashkinë e tij në vendin më të zhvilluar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e në mbarë botën.
Pas gjithë gazit e haresë së rrjetit, ku në jo pak raste edhe vetë qesha me nivelin e mundshëm të delirit të njerëzve, mendova se duhen thënë dy tre fjalë për të gjithë ata që ‘jetojnë në Instagram’.
Që në krye të herës e them hapur se njerëzit duhet të zbresin në realitet, me këmbë në tokë, të njohin vendin ku jetojnë, mundësitë dhe pamundësitë e tij, të të afërmve të tyre e të mos fshihen në prapaskenën e telefonëve celularë që mbajnë në duar. Duam apo s’duam, pa përjashtuar edhe veten time nga përgjegjësia që kam e mund të kem pasur ndër vite, Shqipëria jonë është kjo, me qytete që lënë për të dëshiruar, me fshatra të harruar, me rrugë të pashtruara, me probleme pafund në shëndetësi, arsim, kulturë e kudo tjetër.
Janë pafund zonat e thella malore të cilat s’kanë pasur asnjëherë fatin të njohin dorën dhe investimet e shtetit, e aq më tepër, banorët e tyre nuk dinë se ç’është instagrami, facebook-u, apo rrjetet e tjera sociale. Ata nuk e njohin kinemanë, s’e dinë s’e ç’është jeta e natës. Nuk e dinë se fundjava mund të shërbejë për shëtitje. Ata nuk e dinë jetën ‘mondane’ të atyre që komentojnë, e që më së shumti të vetmen formë argëtimi kanë këtë moment kur shkruajnë diçka, qoftë edhe për të qetësuar nervat e shtendosur nga paaftësitë e pamundësitë e tyre për të qenë ata që duan.