Një burrë dhe një grua janë gjobitur me nga 450 euro nga Policia e Kosovës, të mërkurën pak pas mesnatës ishin puthur në afërsi të një klubi të natës në Prishtinë. Ky dënim nxiti shumë reagime e në media u raportua si skandaloz. Avokati i burrit të dënuar thotë se janë shkelur të Drejtat e Njeriut dhe se Kosova nuk është në Lindjen e Mesme. Ehat Miftaraj nga IKD thotë se sjellja e çiftit para klubit të natës nuk mund të konisderohet në kundërshtim me ligjin. Policia nuk është përgjiigjur.
Në fletparaqitjet e gjobave të shqiptuara, të cilat i posedon Gazeta Express, nuk ceket mënyra sesi çifti janë puthur vetëm shkruan se “i njëjti /e njëjta bënë sjellje të pahijshme, duke u puthur në publik edhe pse i është tërhequr vërejtja disa here”. Lidhur me këto gjoba ka folur për Express avokati i mërgimtarit Edis Kuraja. “E kam klient për shkak të çështjeve civile të mëhershme edhe mandej ka qenë i shqetësuar për rastin që ka ndodh…Të dy janë gjobitur me nga 450 euro, unë e mbroj klientin mashkull, por ata kanë dashtë me qenë anonim për publikun dhe ka nënshtetësi suedeze. Ata bashkëjetojnë”, u shpreh Kuraja për Gazetën Express. Avokati thotë se nuk ka ushtruar ankesë në Inspektoratin Policor, pasi po pret që IPK të iniciojë vetë procedurën.
“Ndaj zyrtarëve policorë nuk kam ushtruar ndonjë ankesë, pasi ata kur e kuptojnë se zyrtari i tyre ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme kur ka shqiptuar gjobën në fjalë, ata mund të iniciojnë procedurën vetë….Do të presim si do të veprojë Policia e Kosovës, respektivisht shteti ndaj klientit tim dhe nëse nuk zbaton ligjin do të përdori mjete tjera juridike, derisa ai vendim nuk anulohet sepse është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Shteti i Kosovës është europian nuk jemi në Lindjen e Mesme, ku këto veprime sanksionohen. Ndërsa, në një prononcim për Gazetën Express, drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se sjellja e çiftit mund të konsiderohet e pranueshme dhe normale në klube të natës, ku mosha e personave që i frekuentojnë është e moshës madhore. Miftaraj thotë se sjellja mund të konsiderohet e pahijshme, nëse do të ndodhte në një vend publik ku frekuentohet nga fëmijet apo të miturit.
“Në radhë të parë ligji për rendin dhe qetësinë publike është ligj i miratuar në vitin 2009, dhe shumë dispozita te të njejtit ligj janë në kundërshtim me parimet Kushtetuese që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, ku hyn edhe dënimet apo sanksionet me burgim efektiv për vepra kundërvajtëse. Në rastin konkret, përderisa, një gjobë e tillë do të mund të hynte në kuadër të sjelljes së pahijshme nëse do të ndodhte në një vend publik ku frekuentohet nga fëmijet apo të miturit me cka do të shkaktonte shqetësim për qytetarët, e njejta nuk mund të konsiderohet sjellje e pahijshme nëse ka ndodhur në klube të natës ku mosha e personave që e frekuentojnë janë të moshës madhore”, tha Miftaraj për Express. “Neni 6 i Ligjit, pjesa e sjelljes të pahijshme seksuale që shkakton shqetësim te qytetarët është dispozitë e përgjithshme dhe zbatohet varësisht rredhanave dhe vendeve publike. Përderisa, një sjellje e tillë mund të konsiderohet e papërshtatshme në prani të fëmijëve, e njejta sjellje mund të jetë e pranueshme dhe normale në klube të natës, si është rasti konkret”, tha më tej Miftaraj.
Edhe avokati Kuraja thotë se puthja nuk konsiderohet si kundërvajtje. “Pavarësisht se ku ndodh, puthja nuk konsiderohet si vepër kundërvajtje sepse dispozita me nenin që e ka shqiptu zyrtari policor është në kundërshtim me ligjin, e nenit 6 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike”, tha ai ndër të tjera. Sipas tij, kuptohet se gjobat ndaj çiftit janë shkelje e të drejtave të njeriut. “Përveç kësaj ai nuk ka theksuar se si është puthur. A është puthje në dorë, faqe apo diku tjetër. Ai thotë vetëm puthje. E gjithë fletparaqitja është në kundërshtim, mendoj që është një lloj hakmarrje ndaj këtyre që janë shtetas të huaj… Vetë qytetari laik e kupton që është shhkelje e të drejtave të njeriut, kundër kushtetutës etj”, përfundoi ai. Gazeta Express ka pyetur Policinë e Kosovës për numrin e shqiptuar të gjobave për puthje brenda këtij viti dhe ato të vitit të kaluar, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pranuar përgjigje. Po ashtu Express është edhe në pritje të një përgjigjeje të IPK-së nëse po trajtohet rasti i shqiptimit të gjobave ndaj çiftit.