Pjetër Kaçi, 80 vjeçari i cili ditën e djeshme u dhunua nga pjesëtaret e familjes Nikolla ka treguar si ndodhi ngjarja dhe motivin e konfliktit.
Në një prononcim për “News24”, ai tha se me familjen Nikolla janë të afërm dhe shkak për konfliktin mes tyre është bërë një rrugë mes familjeve Kaçi dhe Nikolli.
“Ka hyrë fërkimi për dy kolona. Tjetër gjë nuk kam pas me ta. I kemi pas nënat motra, i kam të afërm. Unë i kam prurë këtu. Shteti mbaroi detyrën e vet, sepse kolonat nuk duhet t’i kishte prishur pa vendim gjykate. Më pas erdhën për të prishur këtë rrugën këtu. Unë nuk di se qysh me bo me ata. Gruaja e Martinit ka ardhur këtu dhe më ka sharë, ka thënë fjala të pista. Dhe gruan e tij e kam të afërme. Këta janë prishur mendsh, kujtojnë se kanë prekur qiellin me dorë. Kanë myt veten dhe mua. Dje unë shkova çova lopën në parcelë. Ka qenë plan i kurdisur. Ka ardhur djali i madh. Më tha hë, shyqyr që më fole, dhe erdhi prej atje këtu dhe tha do të lahet me gjak ky vend. Më pas erdhën kalamajtë dhe gruaja ime.
I kam çuar pleqtë me zakon të Mirditës, nuk i ka pranuar. Nuk e di ku i kam rënë në qafë”, tha i moshuari.
Ndërkohë djali i të moshuarit, i cili gjithshtu u dhunua nga vëllezërit Nikolli pasi shkoi për të ndihmuar të atin, theksoi se nëse shteti nuk merr masa atëhere kjo situatë do të përshkallëzohet.
“Babai im ka qenë duke çuar bagëtinë në parcelë. I kanë dalë para dhe i kanë thënë pse sheh nga ne. Arbeni i ka dalë përpara dhe i ka thënë do lahet me gjak ky vend. Ka dalë dhe nëna ime për të mos i lënë të bëjnë debat.
Ata kanë thënë duam çunat. Dolëm ne, filloi konflikti, morën shkopa bejsbolli e filluan duke qëlluar. Ata kanë pritur që të ishim ne. Aty nisi konflikti, shkuan e morën armën, qëlloi në oborr të shtëpisë nga ne. Fati jonë që nuk kemi pasur lëndime. Konflikti ka nisur dhe për këtë rrugë sepse ka pasur një gentplan që ma kanë lënë shtëpinë pa oborr fare. Ky komshi këtu ka letra e të gjitha, e ne të mos na i japin është e padrejtë. I bëj thirrje Edi Ramës. Ata më kërkojnë rrugë në oborr të shtëpisë, kjo nuk pranohet dhe do ketë përshkallëzim nëse nuk merr shteti masa. Rrugën e kanë para banesës, kërkojnë dhe rrugë në derë të shtëpisë sime.
Ne ishim duke u zënë, kur njëri vëlla ka shkuar ka marrë armën dhe ka qëlluar. Kanë qenë 4 vëllezërit Nikolla, me gratë, më pas kemi ardhur ne. Ata vijnë këtu na ofendojnë, duke bërë të fortin”, tha djali.
Kujtomë se ditën e djeshme, Martin Nikolli, shoferi i kryeparlamentares Lindita Nikolla, së bashku me vëllezërit e tij Alfred, Petrit dhe Arben Nikolli rrahën brutalisht 80-vjeçarin Pjetër Kaçin për motive banale. Gjithçka nisi me një ‘pse më sheh’ duke e qëlluar më pas me shkopa bejzbolli dhe sende të forta atë.
Sherrit më pas iu bashkuan edhe djemtë e Kaçit të cilët erdhën në ndihmë të kryefamiljarit të tyre. Në këto momente, Martin Nikolli ka nxjerrë armën e shërbimit dhe qëlloi 5 herë në drejtim të tyre
Menjëherë pas kësaj ngjarje erdhi dhe reagimi i Ministrisë së Brendshme ku ministri Taulant Balla, shkarkoi Martin Nikollin nga radhët e Gardës së Republikës. Gjithashtu, AMP arrestoi këtë shtetas si dhe u bë e mundur nga policia edhe arrestimi i një prej familjarëve të Martin Nikollit, A.Nikolli.
Lidhur me këtë ngjarje ditën e djeshme reagoi edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila dënoi aktin e gardistit si dhe i bëri thirrje autoriteteve që të vendosin para drejtësisë të gjithë pesonat e përfshirë.
“Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme.
Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.
Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, shkruan Nikolla.