Asim Sarajliç, deputeti i Bosnje Hercegovinës dhe zyrtar i lartë i Partisë udhëheqëse boshnjake të Veprimit Demokratik (SDA), dha të mërkurën dorëheqje nga të gjitha funksionet politike. Në një konferencë për media, Sarajliç tha se ka marrë vendimin për shkak të sanksioneve që i ka vendosur Departamenti amerikan i Thesarit, më 11 prill.
“Pavarësisht se nuk jam i dënuar për asnjë krim në shkallë të parë apo të fundit, besoj se – për shkak të vendimit të autoriteteve amerikane për të më futur në listën e personave të sanksionuar – është detyrimi im të jap dorëheqje nga pozicionet”, tha Sarajliç.
“Si person përgjegjës, për të cilin interesi i shtetit është mbi të gjitha, nuk dua të jem, në asnjë mënyrë, pengesë në zbatimin e planeve të përbashkëta strategjike dhe të partneriteteve midis Bosnjës dhe Shteteve të Bashkuara”, vijoi ai, duke theksuar se SHBA është një mik i vërtetë afatgjatë dhe partner strategjik i Bosnjës.
“Asnjë individ nuk duhet të jetë pengesë për bashkëpunimin e vazhdueshëm”. Asim Sarajliç shtoi se do të jetë në dispozicion të institucioneve gjyqësore të Bosnjës në çdo kohë, “plotësisht i bindur” se “do të provojë pafajësinë”.
Pjesë e sanksioneve nga Departamenti i Thesarit ishin dhe dy individë nga Shqipëria, biznesmeni Ylli Ndroqi dhe ish-deputeti Aqif Rakipi.