Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka ndërmarrë një reformë në shërbimin diplomatik duke larguar disa diplomatë në disa vende të Europës, por jo vetëm.
Pas aludimeve e shkrimeve në media se diplomatja shqiptare Blerta Derhemi është shkarkuar nga detyra që kryente në Bruksel, kjo e fundit ka reaguar në “Facebook”. Ajo shprehet se nuk është shkarkuar nga detyra por thjesht është transferuar në atdhe, ndërsa shton se emërimi i saj si diplomate në Bruksel ka qenë në përputhje me të gjitha rregullat.
“Të nderuar miq dhe të njohur qoftë realë apo virtualë, me keqardhje po ju drejtohem për t’ju sqaruar në lidhje me përfoljen që po i bëhet emrit tim këto ditë në media, Blerta Derhemi (apo Bitri, po ja jap medias edhe këtë informacion nëse nuk e ka ende).
Nuk jam shkarkuar nga detyra, nuk jam në asnjë shkelje të rregullave dhe ligjeve, nuk ka asnjë parregullsi as në emërimin tim dhe as në kryerjen e detyrave nga ana ime, thjesht po transferohen në atdhe. Kush e njeh botën e diplomacisë e di mirë se ky është procesi më normal, ndaj ndihem e fyer dhe e cënuar moralisht me çfarë po lexoj për veten. Së bashku me mua është cënuar qetësia e prindërve, fëmijve dhe familjarëve të mi.
Jam pjesë e shërbimit të jashtëm prej 13 vjetësh. Emërimi im në Misionin e RSh pranë Bashkimit Evropian, ka ardhur pas 8 vitesh punë në Ministri, pa i trokitur kujt në derë, pa u servilosur, pa shkelur mbi parimet dhe dinjitetin që më kanë brumosur prindrit. Parime të cilat jam munduar t’ua transmetoj edhe studentëve të mi gjatë kohës që kam qenë asistent pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave Sociale.
Kush më njeh e di mirë se kam zgjedhur përherë të jem larg ‘shoë off’, kam preferuar të flas ‘pa zë’, duke u përpjekur çdo ditë të rris veten profesionalisht dhe intelektualisht. Jam fëmijë e dy prindërve anonimë, tashmë arsimtarë në pension, që kanë sakrifikuar maksimalisht për të më shkolluar e arsimuar. Pra nuk kam pasur dhe as kam lidhje nepotike dhe as krushqira me asnjë parti, madje as nuk jam angazhuar ndonjëherë politikisht dhe jo se kjo nuk më është ofruar. Thjesht ka qenë zgjedhja ime.
Vazhdoj të mbetem diplomatja e Republikës së Shqipërisë me të njëjtin devocion dhe dashuri e përkushtim për punën, ashtu siç e kam pasur që nga dita e parë kur kam shkelur në atë institucion”, shkruan diplomatja shqiptare.