UET certifikatë mirënjohjeje Guvernatorit të BSH/ Sejko: Kërkimi shkencor na ndihmon në adresimin e krizave

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Për mbështetjen e kërkimit shkencor dhe promovimin e vazhdueshëm të kërkuesve të rinj, Universiteti Europian i Tiranës i akordoi Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, një certifikatë mirënjohjeje. Sejko vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me universitetet në fushë të kërkimit shkencor dhe tha se puna kërkimore ndihmon në vendimmarrjen e bankës qendrore përballë sfidave dhe krizave. Ai pohoi krizën e re të inflacionit, por siguroi se vendi nuk rrezikon recensionin.

Certifikata e mirënjohjes që Universiteti Europian i Tiranës i akordoi Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, vjen në një moment turbulence në ekonominë shqiptare, përballë një krize të re që ka nisur…ajo e inflacionit.

Është pikërisht kërkimi shkencor pranë këtij institucioni, që siç do të pranonte edhe vetë zoti Sejko e pajisin bankën qendrore me instrumente për ta menaxhuar krizën e për të ruajtur stabilitetin ekonomik e financiar.

Në kohën kur besimi i shoqërisë është i tronditur nga cilësia e institucioneve, Banka e Shqipërisë vazhdon të mbetet një gardiane e besueshme, do të shprehej presidenti i UET, Selami Xhepa në ceremoninë e akordimit të certifikatës së mirënjohjes. Ai shtoi se kontributi i veçantë në ruajtjen e besueshmërisë së këtij institucioni në publik i takon guvernatorit të saj, Gent Sejko.

“…kur tronditet besimi shoqëror dhe kur ndoshta vendet mund të kalojnë në kriza të rëndësishme, atëherë roli dhe serioziteti i institucioneve dhe titullarëve të tyre bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Dhe në historinë e ekonomisë ka plot episode kur vendet mund të kenë dështuar, monedhat mund të kenë dështuar dhe, figura e një guvernatori dhe i Bankës Qendrore ka qenë ajo që i ka kthyer besimin publik dhe e ka ringjallur edhe njëherë shoqërinë”, u shpreh zoti Xhepa. Ky titull mirënjohjeje iu akordua Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë “Për mbështetjen e vazhdueshme të kërkimit shkencor cilësor dhe promovimin e kërkuesve të rinj në fushën e ekonomisë dhe financave në Shqipëri”.

Siç do të thoshte dekani i Fakultetit Ekonomik në UET, Elvin Meka, një koleg i vjetër i guvernatorit, kërkimi shkencor i kryer nga Banka e Shqipërisë nuk është i llojit që qëndron në letra, por vihet në jetë.

“I gjithë ai ekip kërkuesish në Bankën e Shqipërisë, që shkruajnë në mënyrë konstante, nuk shkruajnë në ajër, por për aspekte dhe problematika që shqipërojnë sistemin financiar shqiptar, ose sektorin bankar”, tha dekani Meka.

Një tjetër kontribut i Bankës së Shqipërisë, por edhe i vetë Guvernatorit Sejko, siç e gjykoi zoti Meka, është ai i promovimit të kërkuesve të rinj në fushën e ekonomisë dhe të financave të Shqipërisë, përmes akordimit të vazhdueshëm të një çmimi që u shkon kërkuesve më të mirë. Dekani përmendi edhe ish-studentë të Universitetit Europian të Tiranës që janë nderuar me këtë çmim nga Guvernatori. Kjo sipas dekanit është një mundësi e mirë për t’u dhënë kërkuesve të rinj hapësira më të mëdha.

Presidenti i UET, zoti Xhepa, foli rreth traditë që universiteti ka krijuar me akordimin e këtij titull mirënjohjeje, duke identifikuar ata personalitet dhe institucione që lënë gjurmë dhe krijojnë histori në këtë vend, secili në fushën e vet.

“Lajmet që na vijnë këto ditë nuk janë lajmet që jemi mësuar të dëgjojmë. Në 10 apo 15 vitet e fundit dhe madje që nga viti 1997, në Shqipëri nuk është se inflacioni ka përbërë ndonjë shqetësim nga pikëpamja e politikave makroekonomike. Madje, sa herë hapen fjalimet se Shqipëria gëzon stabilitet makroekonomik, inflacion të ulët, merret si e dhënë e jo si një fakt i rëndësishëm. Por kur tronditet, kur këto indi katre zhbëhen, denatyrohen atëherë kuptohet sesa i rëndësishëm është ky tipar”, theksoi presidenti Xhepa.

Ai shtoi se sfidat përpara duken të vështira për bankat qendrore në të gjithë botën dhe “lajmet që do të na japë guvernatori nuk do të jenë ato që kemi dashur t’i presim. Norma të larta interesi na presin përpara”, shtoi Xhepa, i cili gjatë karrierës së tij si ekonomist ka pasur një përvojë të gjatë edhe në Bankën e Shqipërisë.

Xhepa parashikoi se Shqipëria nuk do të kalojë e patrazuar nga erërat e rreziqeve që vijnë nga bota, duke folur edhe për mundësitë e ndonjë recension. “…por shpresojmë që Banka e Shqipërisë të vazhdojë të kontribuojë, të ruajë besimin e publikut, që mendoj se është gjëja më e çmuar dhe atributi më thelbësor dhe i qenësishëm i një institucioni”.

Edhe Guvernatori Sejko pohoi krizën e re, që është ajo e inflacionit, por i siguroi të pranishmit në ceremoni se vendi nuk ka rrezik recensioni.

“Kemi nga ‘97 që nuk përballemi me norma, kaq të larta inflacioni…”, tha guvernatori. Ai u ndal edhe te menaxhimi i krizës gjatë periudhës së pandemisë, ai pranoi se kriza e re, që është në fillimet e saj ka sfida dhe të panjohura në mënyrën sesi do të menaxhohet. “Gjithsesi e kemi theksuar dhe nuk është propagandë, vjen si pasojë e modelit të politikës monetare që ne kemi -e bërë nga studiues e koordinuar me fushën kërkimore-, ekonomia shqiptare parashikohet se nuk do të bjerë në recension deri tani…”

Ai pohoi gjithashtu se në të dy mandatet e tij si Guverantor i Bankës së Shqipërisë është përballur me sfida të njëpasnjëshme, si tronditja e sistemit financiar, goditja e ekonomisë, kreditë me probleme, rënia e GDP-së, të trashëguara nga kriza globale financiare e vitit 2008, të cilat kanë lënë pasoja në mjedisin ekonomik shqiptar.

“ Banka e Shqipërisë në koordinim me institucione të tjera, kryesisht me qeverinë shqiptare dhe me institucione të tjera relevante, është përpjekur të ndërmarrë disa reforma, që t’i adresohet këtyre sfidave”, tha zoti Sejko.

Duke shprehur mirënjohjen për titullin e akorduar nga UET, Guvernatori e vuri theksin te kërkimi shkencor në Bankën e Shqipërisë, që kryhet përmes Departamentit të Kërkimit, ngritur 20 vite më parë në këtë institucion.

“Në kërkimin shkencor jemi lodhur dhe përpjekur pikërisht për një vendimmarrje në raport me këto kriza dhe sfida. Edhe sikur të mos ishte periudhë e vështirë, banka qendrore duhet të menaxhojnë stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar dhe pa një punë të mirëfilltë kërkimore shkencore, vendimmarrja nuk është e plotë”, është i mendimit guvernatori.

Ai tha se kërkimi shkencor në Bankën e Shqipërisë orientohet drejt nevojës së institucioni ka dhe mbulon ato fusha studimor që lidhen me sfidat që vijnë në raport me krizat.

Ai tha se marrëdhënia dhe bashkëpunimi me universitetet është i rëndësishëm në kërkimin shkencor.

“Përveç çmimit për kërkuesit e rinj, përpiqemi të kemi marrëdhënie sa më të ngushta në kërkim shkencor, me universitetet. Pavarësisht nga kërkuesit tanë, një punim shkencor i bërë me një bazë të gjerë do të kishte cilësi më të mirë”, tha ai i hapur për bashkëpunime me universitetet.

“Nga ana tjetër, duke bashkëpunuar spikasim elementë, për t’i bërë pjesë të Bankës së Shqipërisë, ekipit kërkimor. Bashkëpunimi është frytdhënës dhe e kemi në fokus”, shtoi Sejko.

Guvernatori vlerësoi Universitetin Europian të Tiranës si një nga më të mirët dhe theksoi edhe njëherë se Banka e Shqipërisë si institucion rregullator dhe politikëbërës në fushën financiare është e interesuar të jetë e lidhur me institucione kërkimi dhe universitetit.

Gjatë këtyre viteve, UET ia ka akorduar këtë titull mirënjohjeje figurave të spikatura nga fusha të ndryshme të jetës publike si Isuf Kalo, Pëllumb Pipero, Spiro Brumbulli, Vasilika Hysi, Avni Ponari, Rrapo Ormëni, Andi Lila, Marin Mema e Arbër Hajdari.

Zjarr Tv Ad