Siguracionet e makinave janë ulur sot me 30% në tregun vendas nga ana e kompanive të sigurimit. Bëhet fjalë për sigurimin motorik të detyrueshëm të njohur si TPL (sigurimi i Detyrueshëm i Mbajtësit të Mjetit Motorik për Përgjegjësinë Civile ndaj Palëve të Treta).
Në datën 24 gusht në treg ndodhi e njëjta situatë ku çmimet u ulën me 20% (Siguracionet, kompanitë ulin çmimet me 20 %, ja sa kushton sot një policë ) por pak ditë më vonë u kthyen në normalitet për të përsëritur sot të njëjtin cikël por me një ulje më të theksuar.
Nga një vëzhgim i Monitor, kompanitë duket të kenë dy sjellje në treg. Të parët shkruajnë primin aq sa e shesin ndërkohë që të dytët shkruajnë primin normal, pra pa ulje, por që në mënyrë informale aplikojnë uljen.
Sa shitet sot një policë sigurimi
Sot një policë për mjetet me kubikazh deri në 1600 cm3 dhe më e re se 10 vite shitet 11 700 lekë ndërkohë që më herët ky çmim mesatarisht në treg ishte 17.600 lekë.
Për një mjet me të njëjtën fuqi motorike por që është e barabartë ose më e vjetër se 10 vite primi sot është rreth 12 000 lekë ndërkohe që më herët ishte rreth 18 000 lekë.
Për mjetet me kubikazh 1600-2500 cm3 dhe me vjetërsi më të vogël se 10 vite primi i sigurimit ishte rreth 18 300 lekë ndërkohe që sot i njëjti prim shitet rreth 12 000 lekë.
Për një mjet me vjetërsi të barabartë ose më të madhe se 10 vite primi që shkruhet nga kompanitë është rreth 12 500 lekë ndërkohë që më herët ky prim kishte një mesatare prej 18 900 lekë.
Për mjetet që kanë një kapacitet motorik mbi 2500 cm3 dhe janë më të reja se 10 vite, pra pas 2007, primi i ri është 12 500 lekë ndërkohe që më herët ishte 19 000 lekë.
Për mjetet me të njëjtin kapacitet por me vjetërsi më të madhe se 2007 primi i sotshëm është 13 000 lekë ndërkohë që më herët ishte rreth 19 500 lekë.
Ulet edhe kartoni jeshil me 50%
Ulja e primit nuk është bërë vetëm tek TPL por edhe tek kartoni jeshil. Kompanitë po aplikojnë sot çmime 50% më të ulëta.
Konkretisht kartoni jeshil për një afat 15 ditor nga 40 euro po shitet 20 euro ndërkohë që ai për një afat 1 mujor nga 60 euro në 30 euro.
Marrë nga Monitor