Ulet prodhimi global i naftës

0
29
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Çmimet e naftës bruto në tregjet globale janë rritur orët e fundit nga vendimi i aktorëve kryesorë në Lindjen e Mesme për të ulur prodhimin e tyre. Vlera e naftës në bursa është përgjysmuar në muajt e pandemisë, dhe pritet dalja e vendeve nga karantina për t’iu rikthyer niveleve të mëparshme.

Pandemia i ka lënë pa shumë opsione vendet e pasura me naftë në Lindjen e Mesme, duke i detyruar ato të ulin prodhimin pasi nuk po gjejnë më blerës.

Arabia Saudite, si vendi kryesor eksportues i naftës bruto në botë, njoftoi se nga muaji qershor do e zvogëlojë me 1 milion në 7,5 milionë fuçi prodhimin e saj ditor.

Ministria saudite e Energjisë tha se vendimi reflekton situatën me kërkesën e dobët për ar të zi në botë, dhe çmimet që më shumë se janë përgjysmuar nga viti 2019 për shkak të masave kufizuese kundër pandemisë që zbaton çdo vend i planetit.

Në tremujorin e parë të vitit, gjiganti saudit i prodhimit të naftës, kompania “Aramco”, tha se për pasojë edhe fitimi i saj neto në tremujorin e parë u shkurtua me 25 për qind nga viti në vit.

Një ditë më parë raportuan ulje të prodhimit ditor për qershorin edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti, përkatësisht me 100 mijë dhe 80 mijë fuçi nafte në ditë, ndërsa trendin me mbi 1,7 fuçi do e ndjekë edhe SHBA-ja brenda gjashtëmujorit të parë.

Këto zhvillime ndikuan në orët e fundit që çmimi i naftës i standardit europian, Brent, të vlerësohet më lart për 30 dollarë fuçia, nafta bruto amerikane të tregtohet me 25 dollarë, dhe një fuçi në bursën e Dubait gati 4 dollarë më shumë.

Masat për shkurtimin e prodhimit ditor të naftës bruto u dakordësuan në muajin prill nga anëtarët e OPEK-ut deri në stabilizimin e pandemisë dhe rivënien në fuqi të plotë të ekonomisë botërore.

Parashikohet që kërkesa për këtë produkt do të rritet me daljen graduale të vendeve nga karantina.

Zjarr Tv Ad