Ulet shifra e pacientëve të shtruar/ Ministria e Shëndetësisë jep detajet, çfarë po ndodh tek Infektivi dhe “Shefqet Ndroqi”

0
24

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje për situatën në spitalet Covid ku duket se disa pacientë janë shëruar dhe kanë shkuar në shtëpitë e tyre. Në përditësimin e sotëm, u raportua se janë 116 pacientë në spitalin Infektiv dhe Shefqet Ndroqi, nga të cilët 20 janë në terapi intensive dhe 4 të intubuar.

Ndërsa ditën e djeshme ishin 124 pacientë të shtruar, 18 janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve janë të intubuar. Shifrat e përditësuara tregojnë se dy pacientë kanë përfunduar në terapi intensive. Është ende e paqartë nëse tre viktimat e ditës së sotme, një 65 vjeçar nga Elbasani dhe dy qytetarë nga Tirana, një 66 vjeçar dhe një 76 vjeçare, kanë qenë në intubim.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar  101 raste pozitive, shpërndarja gjeografike e të cilave është si vijon: 51 raste në Tiranë, nga 14 raste Shkodër, Krujë, 12 në Lezhë, 9 në Vlorë, 7 në Durrës, 5 në Lushnje, nga 4 raste në Kurbin, Elbasan, Klos, nga 3 raste Korçë, Divjakë, nga 2 raste, Kavajë, Berat, Kamëz, Gramsh, nga 1 rast në Kukës, Vau i Dejës, Selenicë.

Nisur dhe nga rritja e rasteve ditore pozitive të ditëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe një herë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri: Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën, Ruani distancën në ambientet publike.

Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse. Shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19. Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes. Nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore. Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.