Kryetari PAA, Agron Duka ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për të ulur mesataren e pranimit të studentëve në degët e mësuesisë. Sipas deputetit Duka profesioni i mësuesit është më i keqpaguari dhe më i denigruari.
Në një postim në Facebook, Duka shprehet se “arsimi vazhdon të mbetet hallka më delikate e shoqërisë tonë”, duke nënkuptuar se ka ardhur momenti që të rritet autoriteti i mësuesve.
Postimi i Agron Dukës:
Mësuesit duhet ti kthejmë dinjitetin dhe autoritetin, jo mesataren!
Kam ndjekur me vëmendje debatin publik këto dy ditët e fundit, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për të ulur, apo më saktë rikthyer aty ku ishte, mesataren e pranimit të studentëve në degët e mësuesisë.
Mesatarja u rrit në një përpjekje për të tërhequr drejt këtyre degëve nxënës më të mirë, në mënyrë që të përgatisnim mësues më të mirë. Por kjo çoi në braktisjen e degëve të mësuesisë, pasi të rinjtë nuk i preferojnë. Pra, një përpjekje që dështoi.
Arsimi vazhdon të mbetet hallka më delikate e shoqërisë tonë. Nuk mjaftojnë shkollat e reja, më bojëra të ndryshme dhe kënde lojërash. Shkolla është ajo që bëhet brenda këtyre godinave. Cilësi shkolle nuk do të thotë cilësi godine.
Ne sot gjendemi në një rreth vicioz: Kemi mësues të dobët që nxjerrin nxënës të dobët, nxënësit e dobët bëhen studentë të dobët, studentët e dobët bëhen sërish mësues të dobët.
Si të dalim prej këtij rrethi?
Si ta përmirësojmë cilësinë e mësuesve që të rrisim cilësinë e mësimdhënies?
Ka vetëm një rrugë: Ta paguajmë më mirë dhe ti rrisim autoritetin mësuesit.
Sot mësuesi nuk është vetëm një profesion i keqpaguar, por edhe një profesion i degraduar, i denigruar, i përbuzuar. Sot nuk ka frikë nxënësi nga mësuesi, por e kundërta. Ne duhet ta bëjmë profesionin e mesuesit dinjitoz, të respektuar, autoritar. Dhe këtë e ka për detyrë qeveria e para, pastaj familja dhe gjithë mjedisi shoqëror.
Nëse një mësues ngre zërin në klasë për të vendosur rregull, nxënësit e filmojnë dhe videoja përfundon në rrjetet sociale e “media investigative”, ku shpërthen histeria e ministria e pushon direkt nga puna.
Çfarë mësuesi mund të jetë ky?
Prindër që i hakërrehen mësuesve nësë fëmija nuk del mirë me mësime, dhe harrojnë përgjegjësinë e tyre.
Kemi rrëshkitur të gjithë nga binarët. Qeveria, familja, media, shoqëria dhe sot endemi si ai që vjen vërdallë nëpër terr dhe pas disa orësh e gjen veten sërish aty ku u nis.