Që në moshë të re, vëllezërit Kray kishin patur ambicie të errëta. Në moshën 20 vjec, gangsterët e East End të Londrës kishin sallonin e tyre të bilardos, që u shndërrua në maskë të një rrjeti mbrojtjeje me pagesë. Gjashtë vjet më vonë, në 1960, dyshja nisi degëzimin, duke krijuar një klub bastesh në West End të Londrës.
Bari tërhoqi shumë aktorë të mirënjohur, këngëtarë e sportistë dhe si pasojë edhe emri Kray u rrit shumë në famë. Vëllezërit e ndanë kombin – disa i shihnin si heronj lokalë, të tjerë si gangsterë të këqinj. Në vitin 1966, kur reputacioni i binjakëve ishte pothuaj në kulm, Ronnie qëlloi hajdutin George Cornell për shkak se ky e quajti “trashaluq”. Më pas në vitin 1967, Reggie theri me thikë banditin Jack McVitie në një shtëpi në veri të Londrës.
Policia britanike kishte qenë në gjurmët e binjakëve Kray prej vitesh dhe tani më në fund ia doli të ngrejë një cështje kundër tyre për vrasjen e McVitiet në vitin 1969. Pas një gjyqi që zgjati 39 ditë, trupi gjykues u mblodh për shtatë orë, duke shqyrtuar dëshmitë që kishin dëgjuar nga shumë prej pjesëtarëve të vetë bandës së binjakëve Kray, përpara se t’i shpallte fajtorë.
Ditën tjetër, në 5 mars, dy gangsterët e fundit të famshëm të Britanisë, Ronnie dhe Reggie Kray u dënuan me burgim të përjetshëm. Ndërkohë që ndëshkimi i dha fund karrierës kriminale të binjakëve, ai bëri shumë pak për të zbehur legjendën e tyre, e cila është e fortë edhe sot. Kohët e fundit është realizuar dhe një film i suksesshëm, ku roli i të dy binjakëve luhet nga aktori Tom Hardy.
Ronnie, që vuante nga probleme shëndeti mendor vdiq në spitalin Broadmoor në 1995; Reggie u lirua në vitin 2000 dhe vdiq nga kanceri 6 javë më vonë.