Unë e dija se nënat nuk hanin, por….

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kur isha e vogël e dija se nënat nuk hanin. E dija se të gjitha nënat jepnin gjak çdo muaj dhe pinin çaj pa sheqer si shpërblim. Mbrëmjeve, teksa nëna më jepte për të ngrënë dy copa bukë dhe çaj me sheqer e pyesja shpesh- Po ti pse nuk ha?! Ajo më përgjigjej- Nënat nuk hanë. Pinë vetëm çaj pa sheqer. Në verë shkoja tek gjyshja. Daja im ishte jasht. Gjyshja ishte besimtare. Falej çdo natë dhe më tregonte se njerëzit që sillen mirë shkojnë në xhenet. Teksa më jepte bukën e ftohtë dhe pothuajse të pangrënshme më thoshte- Haje, bija ime se do shkosh në xhenet. Mua nuk më pëlqente ta haja atë bukë dhe e pyesja gjyshen- Sa çapa duhet të ha që të shkoj në xhenet?

Xheneti, në mendjen time ishte një vend i qetë, tek i cili shkonin njerëzit që silleshin mirë, pasi plakeshin dhe ndërronin jet. Një mbrëmje, pasi isha kthyer nga loja me fëmijët e pallatit, i kërkoj nënës bukë. Ajo u rrotullua dhe gjeti dy copa bukë që kishin mbetur. I theku dhe ma dha çajin pa sheqer. Kisha dy ditë që e pija çajin pa sheqer. Pyeta nënën- Pse nuk ka sheqer në çaj?! Nëna mori hua stilin e gjyshes dhe më tha- Nëse do të shkosh në xhenet, duhet ta pish ndonjëherë edhe çajin pa sheqer. E hodha filxhanin e çajit në tokë dhe thashë- Jo! Nuk e pi. Kur të plakem dhe të vdes do ta takoj Zotin dhe do ta pyes- Zot, pse na lije pa sheqer?!

Fjeta pa ngrënë atë natë dhe që prej asaj nate unë nuk pi më çaj. Me kalimin e viteve kuptova që nënat hanin, por kishte disa nëna që nuk mund të hanin, pasi jetonin në familje që dikush duhej medoemos të mbeste pa ngrënë dhe të pinte çaj pa sheqer. Nënës sime i kish qëlluar të ishte një nga ato nëna që nuk mund të hanin dhe duhej të pinin çajin pa sheqer. Sot jam grua dhe nënë vetë. Nuk e pi çajin, por ende besoj se njerëzit e mirë shkojnë në xhenet. Shpesh kujtoj gjyshen që tashmë është në xhenet dhe lutjet e saj për dajën në burg. Kuptoj se besimi në Zot ishte e vetmja strehë në atë botë të shkretuar nga dashuria dhe të mbushur nga urrejtja.

Nuk jetoj në Shqipëri. Jetoj jashtë bashkë me familjen time. Jam rikthyer për pak ditë të shoh nënën time që ende e pi çajin pa sheqer. Ia përkëdhel kokën e thinjur. I marr erë lëkurës së saj. Bisedoj me të deri në të gdhirë. I përgatis çajin dhe për vete pi kafe. E shoh dhe nuk kam të ngopur. Fle në prehrin e saj.

Post Scriptum– Zgjohem. Shoh se nëna është zgjuar prej kohësh.Është data 8 dhjetor. Ndez televizorin. Gramoz Ruçi thotë- Më 8 dhjetor studentët u ngritën në protesta paqësore dhe rrëzuan regjimin komunist. Hedh shikimin vjedhurazi nga nëna ime dhe shquaj sytë e saj të njomur nga Elona Caslli

Zjarr Tv Ad