UNESCO do të rishikojë statusin e xhamisë “Sophia” si trashëgimi botërore

0
20

UNESCO-ja mund t’i heqë Hagia Sophia-s statusin trashëgimi botërore pas vendimit të presidentit turk Tayyip Erdogan për ta kthyer kishën monumentale në një xhami lokale të Stambollit. Ndërkohë korit botëror që e dënoi vendimin iu bashku edhe Papa Françesku. Vendimi arbitrar i Turqisë për ta shndërruar në xhami katedralen monumentale të Hagia Sophias ka detyruar Komitetin Botëror të Trashëgimisë të UNESCO-s të rishikojë statusin trashëgimi botërore. Sipas organizatës vendimi i Turqisë ngre shqetësime në lidhje me ndikimin dhe pasojat që do ketë mbi këtë monument me rëndësi që tejkalon kufijtë e shteteve dhe të brezave. Ndërkohë udhëheqësve botërorë fetarë që dënuan vendimin presidentit turk Tayip Erdogan, iu bashku edhe Papa Françesku. “Mendimet e mia shkojnë në Stamboll. Mendoj për Shën Sofinë dhe jam shumë i lënduar,” tha Ati i Shenjtë gjatë bekimit të tij të përvajshëm për besimtarët katolikë nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan. Presidenti turk Tayyip Erdogan ka deklaruar se lutjet e para zyrtare në Hagia Sophia do të mbahen duke filluar nga 24 korriku, ndërsa më parë e shpalli monumentin e trashëgimisë botërore një xhami, ndjekur nga vendimi i gjykatës që i hoqi statusin e muzeut. Këshilli Botëror i Kishave i bëri thirrje presidentit turk Erdogan ta kthejë mbrapsht vendimin, ndërsa Patriarku Bartholomew, udhëheqësi botëror i ortodoksëve me seli në Stamboll, e quajti vendimin zhgënjyes. Presidenti Erdogan thotë se monumenti rreth 1,500-vjeçar i Hagia Sophia-s, që më parë ka funksionuar si kishë katedrale e besimtarëve orthodoksë, do të qëndrojë i hapur për myslimanët, të krishterët dhe për të huajt. Ai shtoi se Turqia ka ushtruar të drejtën e sovranitetit për ta kthyer në xhami, kishën monumentale, dhe se do t’i konsiderojë kritikat për vendimin e tij si cenim të pavarësisë së vendit. Greqia, Bashkimi Europian dhe ShBA-ja e dënuan vendimin e Turqisë dhe e konsideruan atë një provokim për mbarë botën.