Vangjush Saro: Qeverisje farsë, për t’u fishkëllyer

0
45
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pakgjë për të shënuar, përtej festave të bujshme, ndërkohë që nga njëra anë po bëhet tullumbace demagogjia e “përparimit” dhe nga ana tjetër veç shtohen faktet e prapambetjes. Një qeverisje pa pjesëmarrjen e Opozitës, pa opsione, pa alternativa; një kokëfortësi e paparë për të shkuar përpara vetëm… në fushë të demagogjisë dhe në pasurimin e klanit në pushtet. (Mjaft të sjellim nëpër mend “ndarjen e tortës”, që përndryshe duhej të quhej… shqyerjen copash të bregdetit të Jonit për t’ua dhënë përkrahësve dhe puthadorëve të PS-së.)

Përpos këtyre, rroftë njëshi! E merr tjetri pushtetin dhe u vë këmbën në grykë kundërshtarëve, nga rrethi i vet dhe më gjerë; dhe nuk i lëshon pe, sikur tokë e qiell të bëhen një. Në fakt, kjo është pamja në disa vende që prej dekadash kanë në krye po të njëjtin individ, si Rusia apo Bjellorusia, por edhe disa vende të tjera në Azi, në Amerikën Latine e gjetkë. Për fat të keq, kështu po ndodh edhe në Shqipëri, në emër të njëlloj stabiliteti, që ndoshta më shumë prish se sa ndreq. Dhe ata që e këndojnë “këngën e stabilitetit” janë më të zhgryerit në veset dhe fëlliqësitë e kohës. (“Problemet kryesore janë egoizmi, babëzia dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim shpirtëror dhe kulturor.” Xh. G. Speth)

Me çfarë të vazhdoj… Kemi një “hartë” trishtuese e të frikshme njëherësh sa i përket aktivizimit të shtetasve shqiptarë në tregtinë e lëndëve narkotike dhe në tregun ilegal përgjithësisht. (Tash po kapen në krim edhe drejtues ose ish-drejtues pushteti, që gjer më sot mbase luanin nën surdinë.) U bëmë gazi i botës, me politikanët dhe me bandat. Dhe pyetjet janë përvëluese: Kjo ndodh përtej vëmendjes së institucioneve të panumërta që ka shteti për… të frenuar fenomenet në fjalë? A mund të ishte kështu nëse nuk do të kishte terren brenda vendit nga ata vijnë, çka është vënë në dukje jo një herë nga mediet dhe publiku, që megjithatë… s’kanë asgjë në dorë?

Ç’të them tjetër? Jemi kaq të çoroditur; në të dyja shtetet (kështu e la punën hë për hë historia) që nuk bëjnë asnjë. Drejtuesit kryesorë të tyre përplasen si jo më keq (takimi i Athinës) duke “retushuar” njëri-tjetrin, bash siç bënte Hoxha (Enveri) me kundërshtarët e tij politikë (por shumë, shumë kohë përpara). Tejet zhgënjyese palët! Këta që thanë se do të luftojnë për harmoni e do të shkojnë drejt bashkimit; këta që deklaronin ca vite më parë se çdo muaj do të kishte mbledhje të përbashkëta (mes dy qeverive) por që i harruan të gjitha dhe gjenden sot kaq të hallakatur; (ku e gjeta dhe unë këtë fjalë, kërkoj ndjesë). Gjithsesi, kishim menduar se shteti-amë (për shkak edhe të përvojave dhe mëvetësisë së hershme, do ta bënte disi “liderin”; ja që nuk ia del dot, sepse s’është për vete në lartësinë e duhur).

Por siç është thënë edhe herë tjetër, mungesat mbushen me demagogji. Një nga analistët e njohur në të dyja rendet, diplomat e gazetar, z. Sh. Murati, tërheq vëmendjen edhe në një fakt e në një akt (shkoi dhe në rimë) që me të vërtetë tingëllon fals e vanitoz. (“Në ditën e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 qershor, Kryeministri i Shqipërisë njoftoi se qeveria e tij do të ngrejë në Tiranë Qendrën Hebraike dhe në Vlorë Muzeun Hebraik. Qeveria shqiptare nuk ka ngritur ende në Tiranë as Muzeun e Kosovës dhe as Muzeun e Çamërisë.”) Edhe unë e shoh këtë, përveç të tjerave, si njëlloj demagogjie, përpjekje për të tërhequr vëmendjen në pista ku nuk ka ç’të luhet më; njësoj si vizita e ardhshme e Kryeministrit në Ukrainë, se atje ka mbetur puna; njësoj si historia e Ballkanit të Hapur apo marrja e kryesimit (Oops!) në disa organizma që nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në problematikën e sotme.

Nuk besoj se do të vlerësohet dikur se kush e zgjat më shumë qëndrimin në pushtet me të keq; duke ëndërruar një vend pa opozitë e duke punuar për këtë qëllim të mbrapshtë; duke vënë poshtë kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë së vet, me kërcënime, me forcë, me përqeshje; duke ua hequr të tjerëve të drejtën për të konkuruar e për të sjellë diçka ndryshe në politikë e në qeverisje. I kthehem sërish: Kulti i individit në shekullin e njëzetenjëtë! (E vinte disi në dukje edhe kolegu Sh. Nazarko.) Që ta mbyllim këtë argument, edhe pse mund të shtoheshin shumë fjalë të tjera, neve nuk na mungonte strategjia e qeverisjes “me dorë të fortë”, që s’lejon asnjëlloj kundërshtimi, asnjë alternativë tjetër, që fundja nuk do opozitë, ose thjesht e do një të tillë sa për sy e faqe. Këtë model e kemi pasur gjithë jetën, pothuaj edhe gjithë tranzicionin. Dhe nuk e vlen më. Kjo që po ndodh është një farsë dhe shpejt a vonë do të fishkëllehet nga qytetarët shqiptarë, lodhur nga premtimet dhe gënjeshtrat. (“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë.” E. Kant) Natyrisht që fishkëllehet edhe loja e dobët e opozitës; por sot për sot, problemi më i madh janë ata që kanë (dhe s’e lëshojnë assesi) pushtetin.

Zjarr Tv Ad