Vasili: Kryeministri të turpërohet dhe t`i kërkojë falje banorëve të Unazës së Re

0
30
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili, në një pronocim për mediat ka folur për situatën e vështirë në të cilën ndodhen banorët e Unazës së Re, dhe protestës që po i rezistojnë prej 17 ditësh.

Vasili ka paraqitur me video, premtimin e Edi Ramës në këtë zonë gjatë fushatës elektorale se “shtëpitë nuk prishen’ dhe ka krahasuar në vijim sesa miliona më pak janë dashur për rrugë të tilla të ngjashme nëpër Shqipëri. Kësisoj, Vasili ka dalë në përfundimin se një mega-grabitje që po konsumohet para syve të qytetarëve.

Deklarata për shtyp e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

Përshëndetje të gjithëve. Jemi sërish së bashku të nderuar qytetarë në këtë komunikim, pikërisht për situatën shumë të rëndë që po zhvillohet jo thjesht dhe vetëm tek Unaza e Re, dhe banorët me të drejtë janë atje prej 17 ditësh e kërkojnë të drejtat e tyre. Por edhe për të sqaruar qartë dhe mirë cilat janë premtimet e qeverisë dhe cila është mega grabitja që po konsumohet përpara syve të qytetarëve . Megjithatë po ju ftoj për pak sekonda të ndjekim se çfarë kryeministri i Shqipërisë u ka premtuar këtyrë qytetarëve kur donte t’u merrte dhe t’u rrëmbente votën. Kështu qe ju ftoj që ta ndjekim këtë deklarim të kryeministrit në atë kohë kur ishte nevojtar për të marrë ca vota më shumë.

Pra përpara se të vazhdoj më tej me argumentimin e mega grabitjes, besoj që kryeministri i Shqipërisë duhet të turpërohet. Dhe sot përpara se të thotë çdo lloj deklarate tjetër së bashku me lejfenët e tij të bashkëqeverisjes, t’u kërkojë falje 1000 herë këtyre qytetarëve, të cilët i mashtroi për t’i marrë votën. Dhe ky mashtrim është në sytë e të gjithëve. Pasi u deklaroi që i kishin ndërtuar banesat e tyre me gjak dhe sot në sytë ë këtij të pacipi gjaku u bë ujë, dhe praktikisht këta s’kanë asnjë të drejtë, por duhet të dalin në rrugë të madhe.

Megjithatë të kthehemi se ç’po ndodh tek Unaza e Re. Edhe njëherë po ju kujtoj se 40 milionë euro do të shpenzohen për 2,2 km rrugë. Tani që të kuptojnë qytetarët se sa e madhe është hajdutëria dhe grabitja po iu jap vetëm disa shembuj.  Qytetarët shqiptarë  dinë dhe njohin shumë mirë aksin Fier-Vlorë, një rrugë tërësisht e re me 4 korsi. Një rrugë që kanë kaluar të gjithë dhe e njohin çfarë niveli dhe standardi ka. Sa ka kushtuar të nderuar qytetarë? Janë 24 km rrugë me një financim prej 50 milionë euro, i cili pas tenderimit ishte dhe më i ulët se kaq. Me fonde të Bashkimit Europian, me garë të hapur ndërkombëtare, pra do të thotë më pas se 2 milionë euro, rrugë e re me 4 korsi, që lidhi Fierin dhe Vlorën.

Ndërkohë që rruga në Unazën e Re bën 19 milionë euro. Të gjithë qytetarët kanë kaluar shumë herë në Bypass-in e Rrogozhinës, që lidh Rrogozhinën me rrugën për të shkuar drejt Elbasanit, një pikë nyjë shumë e rëndësishme. Dhe sa ka kushtuar? Prapë do ja lëmë qytetarëve ta gjykojnë. Janë shpenzuar 5,7 milionë euro për 4,3 km rrugë, me dy korsi, me gjerësi totale 10,5, me rreth rrotullime, me ura. Pra as 1,5 milionë euro kushton kjo rrugë, tërësisht e re dhe nyje shumë e rëndësishme. Ndërkohë që të Unaza e Re bën përsëri 19 milionë euro, 7-8 herë më shumë. Kemi akse të tjera. Aksi Levan-Tepelenë, një aks i cili lidh portën e daljes së jugut. Mesatarja për kilometër, në një zonë shkëmbore shumë të rëndë, me vepra dhe ura, që të gjithë e kanë parë se çfarë terreni, mesatarja 1,7 milionë, kurse tek Unaza e Re 19 milionë.

Sa ishin kostot e Bypass-it të Fierit? Ju shpjegova dje edhe sa ishin kostot e Bypass-it të Vlorës. Të gjitha të hapura në gara kombëtare që prodhuan çmime 7 herë më të ulëta. Pra, thënë më thjesht kjo rruga e cila do të kushtonte jo më shumë se 5 apo 6 milionë euro, kushton plot 40 milionë euro. Mbi 30 e ca milionë euro të grabitura, të cilat Kryeministri së pari duhet të përgjigjet përpara drejtësisë, do përgjigjet bashkë me aradhen e njerëzve të tij, të cilët organizuan këtë mega vjedhje. Këto dhjetëra milionë, të cilat i kanë përvetësuar ditën për diell edhe u kërkon qytetarëve të dalin në shi, sepse paratë që grabisin nuk mund të preken, duhet të jenë atje, ndërkohë që 30 e ca milionë euro, e kupton besoj edhe qytetari i fundit. Ju shpjegova akset rrugore nacionale të mëdha, rrugë të reja me nga 4 korsi, të cilat kanë kushtuar as 2 milionë euro kilometri, kurse kjo kushton 19 milionë, një hapje dhe plotësimi i një rruge, i një korsie mu në mes të qytetit të Tiranës.

Është fare e qartë që e gjithë kjo ka ndodhur në një procedurë tenderimi nga më korruptimet që mund të ketë parë historia e këtij vendi. Po ua rikujtoj edhe njëherë qytetarëve shqiptarë. Kjo rrugë është tenderuar në 3 copa, nga 700 apo 800 metra copa dhe konkurruesit kanë qenë firma të paracaktuar dhe 3 herë ka konkurruar një firmë që ka bërë një ofertë 0 lekë. S’besoj se ka qytetarë, votues i opozitës apo votues i Partisë Socialiste që të mos shqetësohet, preokupohet e mos t`i vijë ankthi i jashtëzakonshëm që po vidhet në këtë mënyrë, pasi ka konkurruar tre kompani për 3 tenderë të ndryshëm dhe ai bashkë konkurruesi tjetër ka qenë me 0 lekë. Vëllezërit Hysa konkurrojnë 3 herë me 0 lekë. Kjo është gara. Është e qartë për të gjithë. 19 milionë euro, konkurron një kundërshtarë me 0 lekë, i jepet dhuratë këtij dhe 30 e ca milionë euro vidhen.

Të nderuar qytetarë, një mega vjedhje kaq e qartë është në sytë tuaj dhe gjithçka që llamarin, që bën zhurmë në zyrat e Kryeministrisë, nuk ka lidhje me moralin e njerëzve, degradimin, rrugën por ka lidhje me zhurmën për të fshehur vjedhjen e madhe, e cila është në sytë tuaj por që nuk mund të fshihet. Kësaj mega vjedhjeje do t`i shkohet deri në fund . Është sot, pas një jave, pas dy jave, është pas një muaji, kjo edhe fajtorët do shkojnë para drejtësisë. Nuk mund ta fali asnjë qytetarë, e them edhe njëherë se s`k asnjë rëndësi për kë voton. Jam i bindur që kundra një vjedhjeje të tillë, qytetarët shqiptarë janë të gjithë bashkë. Qytetarët që e kanë votuar këtë mazhorancë, nuk e kanë votuar që të vjedhë, që nga një rrugë që nuk bën më shumë se 2 milionë, ta paguajë 19 milionë me gjakun dhe djersën e tyre dhe me një sëpatë që u rri mbi kokë për dhjetëra vjet.

Ndaj, kjo është e vërteta e kësaj rruge, e cila zbuloi, nxori në pah, ku ishte vetëm maja e ajsbergut, por tanimë i gjithë ajsbergu është përpara jush. E shikoni, është shumë e qartë dhe përpara kësaj ka vetëm një qëndrim: qëndrim të papajtueshëm, rezistencë deri në fund pasi këtu bëhet fjalë për të mbrojtur paratë e qytetarëve, gjakun dhe djersën e tyre pasi alternativat që u shton qeveria janë: Ne këndojmë këngën të vjedhim e të grabisim çdo gjë, ndërsa ju dilni në rrugë, dilni mes shiut, burra, gra, fëmijë, ribëni nga e para shtëpitë tuaja, zhytuni në mjerim që ne paratë që do grabisim, mos të na preket asnjë cent. Tender korruptim, kosto çnjerëzore dhe një vjedhje çnjerëzore janë sytë e çdo qytetari. Këto nuk janë as më shumë e as më pak, s`janë aspak pretendimi i opozitës, janë fakte të ftohta, të thjeshta që janë përpara syve tuaj.

Ju ftoj që të gjithë të reflektoni e të mendoni shumë sepse ky është momenti i reflektimit të madh. Përpara hajdutërive të tilla, të gjithë duhet të jemi të papajtueshëm pavarësisht bindjeve politike që ne kemi.

Zjarr Tv Ad