Nga Aziago i Italisë, bredhi 26 metra i lartë – ndërsa Betlehemi, që do të vendoset këtë vit në Sheshin e Shën Pjetrit, vjen nga Vicenza. Dy qytete, që kujtohen për dëmet e shkaktuara nga stuhia e tetor-nëntorit 2018, e cila shkatërroi shumë zona të Trivenetos. Përurimi, më 5 dhjetor, njoftoi Radio Vatikani.
Vjen nga Scurelle, komuna e Valsuganës, në provincën italiane të Trentos, Betlehemi, i realizuar në dru, që do të vendoset në Sheshin e Shën Pjetrit për Krishtlindjen 2019. Ndërsa bredhi, që do të vendoset pranë grazhdit, ku lindi Jezu Krishti – i lartë 26 metra, me diametër 70 centimetra – vjen nga Rrafshnalta e Asiagos
Është dhuruar, së bashku me rreth njëzet pemë më të vogla, nga Konsorciumi i përdorimeve qytetare të Rotzo-Pedescala dhe San Pietro në provincën e Vicenza-s. “Pema dhe betlehemi janë të lidhura nga kujtesa e përbashkët e stuhisë tetor-nëntor 2018, që shkatërroi shumë zona të Triveneto-s”, deklaron Guvernatori. Përveç kësaj, këtë vit, Grupi i Betlehemit Artistik Parè i Conegliano-s, në provincën e Treviso-s, do të kujdeset për ndërtimin e betlhemit në Sallën Pali VI.
Përurimi tradicional i Betlehemit dhe ndriçimi i pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit do të bëhet të enjten, 5 dhjetor, në orën 16.30. Paraditen e 5 dhjetorit, delegacione nga vendet donatore do të priten në audiencë nga Papa Françesku.
Në vend të pemëve të prera, do të mbillen 40 bredha të tjerë për të ripyllëzuar zonën e dëmtuar rëndë nga stuhia e vitit 2018. Pema dhe Betlehemi do të qëndrojnë në Shesh deri në fund të Kohës së Krishtlindjes, e cila përkon me festën e Pagëzimit të Zotit, të diel, 12 janar 2020 .