Nga shkolla “Luan Hajdaraga”, e cila hapi dyert sivjet për 650 nxënës në zonën e Freskut, kryebashkiaku Erion Veliaj kujtoi edhe një bisedë me ish deputetin socialist, i cili ndërroi jetë 4 vite më parë.
Mes të tjerash, Veliaj tha se ish diplomati Hajdaraga e ka këshilluar që në ditën e parë kur kandidoi për Bashkinë e Tiranës, se përgjigja më e mirë për të gjitha akuzat dhe sulmet politike është ajo përmes punës.
“Edhe pse fushata ende s’ka filluar, por do kemi kohë të flasim për kush e mban fjalën, kush ka bërë 0 shkolla, e kush ka bërë 40 të tilla. Më kujtohet biseda ime e parë me Luan Hajdaragës, kur sapo isha caktuar kandidat për Bashkinë e Tiranës, dhe Pandi Majko më thotë: Eja, pijmë një kafe me profesor Luanin, përpara se të shkojmë në asamble. Në atë bisedë profesor Luani më tha:
“Shiko, se ti kështu je shumë i mirë, por ndoshta duhet t’i injorosh ca gjëra, kur të nisësh punë”. “Po si more profesor” – i thashë – “më duket padrejtësi e madhe kur dikush shpif”.
Tani që po afron fushata, fillon i njëjti avaz me shpifje e sajesa. E mbaj mend që më tha: “Po të punosh mirë, do të flasë puna vetë. Po nuk punove, do kacafytesh edhe ti me ta”.
Këtë këshillë nuk e kam harruar dhe besoj se edhe sot e kësaj është ndoshta një nga këshillat më të thjeshta, por edhe më të mira që më kanë dhënë.
Kjo këshillë më ka udhëhequr kudo: Puno sepse puna, këto shkolla, premtimet e mbajtura, flasin më shumë se debatet dhe banaqet e analistëve të marra së bashku”, kujtoi Veliaj.