Veliaj: Ndihmë e specializuar mjekësore për qytetarët e strehuar në qendrat sociale

0
550
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Personat në situatë rruge që janë strehuar në qendrat sociale të ngritura nga Bashkia e Tiranës për shkak të motit të ftohtë dhe ngricave, i janë nënshtruar edhe një kontrolli shëndetësor. Që prej javës së shkuar, rreth 193 persona e kanë kaluar natën në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj ishte dje i pranishëm në qendrën sociale të Kombinatit, ku falenderoi stafin për përkushtimin dhe mjekët e infermierët për kontrollet shëndetësore ndaj të gjithë personave të strehuar.

“E çmoj shumë faktin që janë këtu dhe që po bëjmë disa vizita të rëndësishme, për t’u siguruar që ky nuk është vetëm një moment për të futur kokën në një strehë sa të kalojë i ftohti, por edhe një moment për t’u ushqyer mirë, por ndoshta është edhe një moment ku për herë të parë shumë individë, të cilët janë në situatë rruge, bëjnë kontrollin e tyre të parë mjekësor”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi qytetarët se Bashkia e Tiranës me të gjithë strukturat e saj po ndjek me vëmendje situatën e krijuar si pasojë e motit të ftohtë.

“Jam shumë i prekur nga të gjitha historitë që kam dëgjuar, ku kontakti i parë me mjekun është për shumë prej tyre në moshën 40, 50 apo 60 vjeç. Besoj se ky fill njerëzillëku që përshkron të gjithë këtë sipërmarrje, duke filluar nga Policia Bashkiake, Policia e Shtetit, mjekët, doktorët, infermierët, nga të gjithë qytetarët e përgjegjshëm që kanë lajmëruar zjarrfikësen, nga punonjësit tanë socialë, tregon se jemi një qytet që rrëzohemi, por edhe ngrihemi bashkë. Dua t’i falenderoj me gjithë zemër për kontributin dhe të garantoj të gjithë qytetarët që do të vazhdojmë të ndjekim këtë situatë”, tha ai.

Veliaj u bëri apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm deri në kalimin e plotë të kësaj periudhe dhe në stabilizimin e temperaturave.

“Kemi edhe dy ditë vigjilencë derisa moti të stabilizohet. Mbas këtyre dy ditëve fillon një përpjekje e re për t’u siguruar që kush ka nevojë për kontroll të avancuar mjekësor të vazhdojë të ndiqet, kush ka nevojë për asistencë sociale të ndihmohet, kush ka nevojë për punësim të asistohet dhe kush ka nevojë për shtëpi t’i bashkohemi në procesin e gjetjes së një banese afatgjatë për të zgjidhur çështjen e strehimit”, theksoi Veliaj.

Zjarr Tv Ad