Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishin sot në zyrat e reja në Rrugën “Bardhyl”, të cilat u vijnë në ndihmë 120 mijë banorëve të Njësive 3 dhe 4.
Ata dhanë lajmin e mirë të zgjatjes së vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike që skadonin këtë vit deri më 31 dhjetor 2019 dhe të ofrimit të shërbimeve për aplikimet e reja edhe ditën e shtunë e të dielë.
“Do të kemi amendime ligjore, që pavarësisht nga data kur skadon karta në vitin 2019, skadimi final do të jetë 31 dhjetori i 2019-ës. Do të thotë se për të gjithë ata që nuk e kanë me ngut, të cilëve karta u duhet për një a dy herë, si rasti i votimeve apo një dokument tjetër brenda vendit, vlefshmëria do të zgajtet deri në datën 31 dhjetor 2019. Ky është një lajm i shkëlqyer për të ulur pak këtë presion dhe për ta shfrytëzuar gjithë vitin”, tha Veliaj.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi qytetarët se me kapacitetet e shtuara nuk do të kenë asnjë pengesë në marrjen në kohë të shërbimit të kërkuar.
“Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve, por edhe për të përballuar fluksin e madh i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009. Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme kanë ndërmarrë masa për të zgjeruar kapacitetet dhe për të përmirësuar kushtet e aplikimit”, nënvizoi Lleshaj.