Vendimi i Ramës, 110 milionë euro dëm ekonomik, Becchetti bllokon “Albcontrol”/ Kompania me pronësi shtetërore që menaxhon trafikun ajror s’ka likuiditet

0
1513
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në vitin 2021, kompania me pronësi shtetërore “Albcontrol”, që menaxhon trafikun ajror, u vu në vështirësi likuiditeti për shkak se të ardhurat e saj janë bllokuar në llogarinë e saj në Bruksel nga Eurocontrol (organizatë paneuropiane e dedikuar në mbështetjen e aviacionit europian).

Në raportin vjetor të vitit 2021 të “Albcontrol” thuhet: “Të ardhurat e shoqërisë për vitin 2021 reflektojnë të ardhurat nga aktiviteti normal i saj, ulje- ngritje e mbikalime, por këto janë të ardhura të bllokuara në llogarinë e saj në Bruksel, duke sjellë vështirësinë e përballjes me mungesën e likuiditetit përgjatë vitit për shoqërinë”.

Sipas raportit, gjatë periudhës janar-dhjetor 2021, nga aktiviteti i “Mbikalime & ulje ngritje”, është arkëtuar e duhet të ishte në dispozicion të shoqërisë për të plotësuar detyrimet e programit, shuma me vlerë neto 20.98 milionë euro, ose 2.57 miliardë lekë.

“Shoqëria gjatë kësaj periudhe është përballur me vështirësinë për likuiditet, si pasojë e pamundësisë së përdorimit të fondeve në llogaritë e saj bankare jashtë vendit, duke ndikuar në frenimin e një ecurie normale të punës së saj.

Në pamundësinë e shfrytëzimit të fondeve të saj si dhe në kushtet e pasojave të rënda që ka reflektuar pandemia në fushën e aviacionit, janë ndjekur gjithashtu rekomandimet nga EUROCONTROL, që prej fillimit të pandemisë, ku rekomandohej marrja e masave për menaxhimin e kujdesshëm të shpenzimeve në mënyrë që të përballonim skenarët e paparashikuar gjatë pandemisë.

Kompania ka reduktuar pjesën më të madhe të shpenzimeve për këtë 12- mujor, duke u përpjekur të mbulojë vetëm shpenzimet më të nevojshme për ecurinë e punës, pa cenuar parrezikshmërinë, duke u bazuar në të gjitha burimet qe ajo ka pasur në dispozicion”, thuhet në raportin vjetor.

Sipas bilancit, të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të ardhurat totale të “Albcontrol” ishin 2.73 miliardë lekë në vitin 2021, me rritje 56% në raport me 2020-n, kur kompania vuajti pasojat e pandemisë që çoi në pezullimin e fluturimeve për disa muaj dhe reduktimin e tyre përgjatë gjithë vitit. Në 2021-n, “Albcontrol” iu rikthye fitimeve, që ishin 531 milionë lekë, nga -551 milionë lekë humbje vitin e mëparshëm. Sipas raportit vjetor, shoqëria “ALBCONTROL” SHA u ka shërbyer në total 153.772 avionëve (sipas statistikave të EUROCONTROL).

Numri total i fluturimeve, i krahasuar me programin e miratuar, u realizua në masën 87%. Të ardhurat e kompanisë nga aktiviteti i saj janë të depozituara në EUROCONTROL, Bruksel, nga dhjetori i vitit 2020.

ÇËSHTJA “BECCHETTI” DHE BLLOKIMI I LLOGARIVE

Në raportin vjetor të “Albcontrol” nuk përmendet arsyeja e bllokimit të llogarive, por ky bllokim është i lidhur me konfliktin mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti. Përballja e Shqipërisë me investitorin italian Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh.

Vendimi është i formës së prerë dhe sipas mediave ndërkombëtare, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e “Albcontrol” në “Eurocontrol” në Bruksel, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar.

Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti, ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë.

Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u bllokuan asetetet e Francesco Becchetti-t. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit “Agon Channel”, pas së cilës u kap edhe thelbi i çështjes që shkoi në Arbitrazh.

Zjarr Tv Ad