Vendimi për vizat, Rama: Shfaqje politike e Holandës! Festa në Tiranë, e neveritshme

0
3

“Më duhet të rikthehem te vendimi i parlamentit holandez për rikthimin e vizave për shqiptarët, i cili u pasua feste absurde që u zhvillua në oborrin e opozitës si rezultat i atij vendimi, një festë fyese”.

Kështu e nisi fjalën e tij në seancën e sotme parlamentare, Kryeministri Edi Rama, i cili tha se në kushtet kur ai vendim u përcoll nëpër kanalet televizive dhe ato dixhitale si të ishte fundi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve, ndërkohë që sqaroi se është një vendim thjesht dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda ku nuk është sekret ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intensivisht kundër zgjerimit, kundër emigrantëve dhe shqiptarët.

Ai deklaroi se shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si një kokë turku për retorikën agresive izolacioniste në raport me zhvillimet përtej kufijve të Holandës në Bashkimin Europian dhe agresive kundër politikës europiane të zgjerimit.

Por sipas tij, vendimi i parlamentit holandez nuk ka asnjë ndikim të drejtpërdrejtë në lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

Kreu i qeverisë sqaroi se për revokimin e lëvizjes së lirë duhet të përmbushen disa kritere objektive, që siç tha ai, asnjë prej të cilave nuk përkon me realitetin e faktorit shqiptar në Holandë.

Madje ai tha se ministri për Drejtësinë dhe Sigurinë e Holandës i pranishëm në seancën parlamentare, në fjalën e tij reagoi duke thënë pikërisht se nuk ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për të adresuar këtë problematik me një vendim të parlamentit.

“Faktet flasin për rënie dhe jo rritje të numrit të azilkërkuesve të parregullt. Jo vetëm që nuk ka rritje dyfishim të azilkërkuesve, por ka rënie. Gjithashtu duhet të konstatohet mungesë vullneti mes vendeve për kthimin e emigrantëve të parregullt, jo vetëm nuk ka rënie, por rritje të bashkëpunimit, e konfirmuar dhe nga autoritetet holandeze. Duhet faktuar kthimi mbrapa i kritereve teknike për lëvizjen e lirë, ku nënvizua se Shqipëria i plotëson 100% këto kritere”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se qeveria holandeze nuk i është drejtuar ende Komisionit Europian, pastaj në rast se adresohen nga qeveria holandeze merren dhe shqyrtojnë kriteret.

Ai e cilësoi si një shfaqje politike me sfond elektoral për interesa të brendshme në Holandë.

Po ashtu e konsideroi si të pavend festën në Tiranë, të cilën e cilësoi të neveritshme dhe që sipas tij, i drejtoi të gjithë tytat e topave për të hedhur fishekzjarre dhe kapsolla në shtëpitë e shqiptarëve.

Rama tha se “Opozita e orientoi atë argument në një luftë politike të brendshme në Tiranë, që do katandiset keq e më keq në formën e një reagimi deputetësh që refuzuan të përfaqësojnë popullin dhe përpiqen ti vënë zjarrin ardhmërisë së vendit, shpresave dhe ëndrrave. Ti vënë zjarrin vetë vendit”.

Ai tha se qeverisë nuk i bëjnë dot asgjë, por se dëmin ia bëjnë vendit.

“Nuk e ndryshojnë dot shumicën, edhe duke kënuar himnin e stonuar. Parlamenti nuk janë këto mure, nuk janë tavani. Parlamenti është mishërimi i popullit sovran te 140 vetë. Nëse nuk kanë çfarë ti bëjnë qeverisë, kanë shumë çfarë i bëjnë Shqipërisë në rrugën e ekonomisë dhe zhvillimit”, deklaroi kreu i qeverisë.

Mbështetësit e protestave të opozitës i cilësoi si turistë politikë.