Vendimi/ Peshkatarët nga 1 korriku 2024 detyrim për raportim online të aktivitetit

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Çdo anije që do të dalë brigjeve të deteve për peshkim duhet të raportojë elektronikisht speciet dhe sasinë e operacionit ditor të peshkimit, kur është mbi 50 kg.

Detyrimin për transmetimin e të dhënave nëpërmjet sistemit ERS (Sistemi i Raportimit Elektronik, është komunikimi elektronik i të dhënave të aktivitetit të peshkimit nëpërmjet sistemit hardware dhe software) do ta ketë kapiteni, pronari ose çdo përfaqësues tjetër i anijes së peshkimit me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 12 metra.

Vendimi “Për mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të sistemit elektronik të regjistrimit dhe raportimit të aktivitetit të peshkimit dhe përcaktimin e kohës për vënien në funksion të tij” është botuar në Fletoren Zyrtare. Detyrimi për raportimin elektronik të të dhënave për aktivitetin e peshkimit (zënie, zbarkim dhe transbordim) fillon nga data 1 korriku 2024.

Vendimi përcakton se me ngritjen dhe funksionimin e sistemit ERS, që anija e peshkimit të ushtrojë aktivitetin e peshkimit, kapiteni i anijes së peshkimit detyrohet të regjistrojë dhe të komunikojë menjëherë informacionin në lidhje me aktivitetet e peshkimit, duke përfshirë zbarkimet dhe transferimet, si dhe t’u vendosë në dispozicion autoriteteve të përcaktuara në ligjin e peshkimit një kopje të këtyre të dhënave.

Nëse institucionet përgjegjëse për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës nuk kanë marrë të dhënat e transmetuara, siç përcaktohet në vendim, oficerët e shërbimit të peshkimit në sallën operacionale informojnë menjëherë kapitenin ose pronarin e anijes ose përfaqësuesin e tyre.

Nëse për një anije të caktuar kjo situatë ndodh më shumë se 3 herë brenda një viti, institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës siguron që të kryhet një kontroll në sistemin e tij elektronik të transmetimit. Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe të akuakulturës kryen hetime për të përcaktuar shkaqet e mosmarrjes së të dhënave.

Shpenzimet e bëra për blerjen dhe instalimin në bordin e anijeve të peshkimit të pajisjeve ERS mbulohen nga buxheti i miratuar i ministrisë përgjegjëse për peshkimin.

Në total sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë 230 anije të gjatësisë mbi 12 metra të cilat përbëjnë flotën shqiptare të peshkimit. Nga janari i vitit 2021 për këto anije lindi detyrim ligjor të pajisen me blue box për monitorimin e tyre në det në kohë reale.

Aparaturat janë dizenjuar për të mbajtur edhe sistemin ERS për deklarimin elektronik të dhënave të peshkimit.

Ministria e Bujqësisë me herët ka sqaruar se gjatë 3 viteve të para instalimi do të jetë falas, me qëllim që t’u vijë në ndihmë peshkatarëve dhe do të lehtësojë punën e tyre të përditshme. Instalimi i pajisjeve te anijet e peshkimit nisi me anijet e portit të Durrësit duke vazhduar pastaj me portet e tjera të peshkimit./ MONITOR

Zjarr Tv Ad