Vendoret e 14 majit, Duka kundër Berishës: I njoh zgjedhjet, rezultati i pakontestueshëm, PAA e hapur për bashkëpunim me qeverinë

0
26
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka dalë kundër pretendimit të Berishës dhe Metës të cilët akuzojnë qeverinë për manipulimin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. I ftuar dje në një studio televizive, Duka theksoi se e njeh rezultatin e zgjedhjeve vendore dhe shtoi se duke parë rezultatin e thellë të fitores së PS-së është e pamundur të kontestohet rezultati dhe të pretendohet për manipulim zgjedhjesh.

Sipas Dukës, duhet të ketë denoncime për shitblerjen e votave por shtoi se rezultati final nuk do të ndikohej si në rastin e bashkive të Shkodrës, Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit ku kandidatët e opozitës fituan bindshëm. “Unë them që pavarësisht shkeljeve të ndryshme, rezultatet në diferencë kaq të madhe nuk të lënë të kontestosh zgjedhjet dhe të dyshosh se zgjedhjet janë vjedhur. Si në Tiranë, Elbasan, Durrës por ajo që çuditi më tepër ishte Shkodra të them të drejtën, duke parë edhe diferencën e madhe në fitore. Nëse dokumentohen raste që janë blerë votat, shumë mirë bëhen sepse duhet të marrë fund shitblerja e votave në Shqipëri. Nuk mendoj se rezultati final mund të ndikohej në ndonjë nga këto bashki. Propaganda dhe mënyra e të bërit propagandë nga kryeministri ka qenë aftësi e tij”, deklaroi ai.

Duke folur për bashkitë, ku koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve për kryebashkiakë, kreu i PAA tha se mund të ketë pretendime për Belshin dhe Rrogozhinën ku diferenca e votave ka qenë tepër e ngushtë. “Të them unë nuk njoh zgjedhjet do thotë nuk njoh rezultatet dhe nuk hyj në këshillat bashkiakë. Por ne i pranojmë dhe do hyjmë në parlamentet vendore. Nëse bëjmë analizë për kandidatët për kryebashkiakë, mendoj se ka ndonjë rast ku mund të dyshohet se rezultati është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe abuzuese si rasti i Rrogozhinës dhe Belshi. Në Rrogozhinë edhe nga burgu u bënë ndryshime rezultate. Këtu duhen parë ankesat që do vijnë nga BF sepse kandidatët kanë qenë të tyre”, u shpreh ai.

Ndërkohë në lidhje me situatën brenda Partisë Demokratike, Duka u shpreh se për të patur zgjidhje duhet që udhëheqësit brenda këtij grupimi duhet të lënë mënjanë egot personale. Ndërsa i pyetur nga gazetari Arbër Hitaj mbi mundësinë e një bashkëpunimi me qeverinë, Agron Duka nuk e përjashtoi diçka të tillë me argumentin se nëse situata brenda opozitës vijon të mbetet e njëjtë atëherë Partia Agrare Ambientaliste nuk mund të qëndrojë peng. “Nëse opozita mund të ketë të njëjtat probleme PAA është e hapur të bashkëpunojë me PS-në edhe nëse nuk dua unë. Nuk mund të rrimë peng të problematikave që mund të ketë opozita. Nëse qasjet që ne kemi do kenë zgjidhje pozitive nga qeveria, gjë që deri tani nuk na rezulton. Ne kemi cuar një projektligj për bujqësinë që u përkrah edhe nga deputetët e mazhorancës, por nuk u aprovua”, nënvizoi kreu i PAA, Agron Duka.

Zjarr Tv Ad