Venezuelë, Maduro shkëput energjinë elektrike

0
5

Venezuela po jeton momentet më të këqija të saj. Vendi është përfshirë nga errësira totale. Kryeqyteti Caracas e kaloi të enjten në errësirë të plotë. Shkëputja e energjisë elektrike bëri që të anullohen edhe qindra fluturime. Qeveria e Presidentit Nicolas Maduro ka fajësuar opozitën, duke e akuzuar për sabotim.  Maduro akuzon liderin e opozitës dhe të vetëshpallur si President, Juan Guaido, se po organizon grusht shteti me ndihmën e “imperialistëve amerikanë”. Nga ana tjetër, Guaido tha se shkëputja e energjisë ka shkaktuar kaos, zemërim dhe shqetësim.

“Kjo është dëshmia e paefektshmërisë së uzurpatorit. Dritat do të rikthehen pasi z.Maduro të largohet nga pushteti”, tha lideri i opozitës.

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i cili reagoi për situatën e krijuar, fajësoi qeverinë e Maduros, shkruan tvKlan.

“S’ka ushqime, s’ka ilaçe, tani s’ka as energji. Më pas, nuk do ketë as Maduro”, shkroi ai në Tëitter.

Energjia elektrike e Venezuelës është e varur nga hidrocentralet dhe nuk shfrytëzon rezervat e naftës. Mungesa e investimeve ka bërë që digat më të mëdha të vendit të degradojnë dhe ndërprerjet e energjisë të jenë të shpeshta.