Kosova mbetet e patundur në vendimin për taksimin me 100% të vlerës të të gjitha importeve të Serbisë. I këtij mendimi është kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili thotë se masa e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës është legjitime dhe një përgjigje e veprimeve agresive të Serbisë në proceset integruese.
“Ne kemi synim shumë të qartë që të kemi një fqinjësi të mirë, që të kemi një dialog mes nesh, por në të njëjtë kohë ky shtet është i pavarur dhe sovran dhe nuk i nënshtrohet Serbisë. Qytetarët serbë në Republikën e Kosovës janë qytetarë të nderuar, kanë të drejtat e tyre, i thërras ta ndjejnë veten të sigurtë në Republikën e Kosovës”.
Veseli i bën thirrje BE të japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave, pasi Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret.
“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet, Kosova duhet të marrë përgjigjen e merituar nga BE për lëvizjen e lirë. Është i vetmi vend, qytetarët e të vetmit vend që nuk lëvizin lirshëm. Ne besojmë në BE”.
Kryeparlamentari kosovar nënvizoi se Kuvendi ka miratuar një sërë projekt-ligjesh lidhur me reformën në drejtësi, duke e afruar më shumë vendin me integrimin europian.