Gjiganti i rrjeteve sociale “Meta” raportoi një ngadalësim të rritjes të të ardhurave në tremujorin e katërt të këtij viti. Kompania paralajmëroi se ngadalësimi do të vazhdojë, kjo për shkak të rënies së theksuar të reklamave dixhitale dhe kushteve të vështira makroekonomike.
Aksionet e kompanisë “Meta” ranë më shumë se 12 për qind pasi platforma më e madhe e mediave sociale në botë tha se priste që të ardhurat e saj të tremujorit aktual të ishin në rangun prej 30 miliardë dollarë deri në 32.5 miliardë dollarë, krahasuar me pritshmëritë e analistëve prej 32.2 miliardë dollarësh.
Të ardhurat e grupit të mediave sociale në tremujorin e tretë ranë me 4 për qind, në 27.71 miliardë dollarë. Kjo ishte pak mbi vlerësimet e analistëve për një rënie prej 5 për qind në 27.4 miliardë dollarë. Të ardhurat neto ranë 52 për qind nga një vit më parë në 4.4 miliardë dollarë.
Meta është grupi më i fundit i Big Tech (5 kompanitë kryesore të rrjeteve sociale) që raporton rezultate të dobëta dhe një perspektivë edhe më të zymtë, pasi një ngadalësim më i gjerë ekonomik dhe rritja e inflacionit vazhdojnë të godasin bizneset që mbështeten në reklama.
“Ndërsa ne përballemi me sfida afatshkurtra mbi të ardhurat, bazat janë atje për një kthim në rritje më të fortë të të ardhurave,” tha Mark Zuckerberg, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Meta-s.
Ai tha se Meta “po i afrohet vitit 2023 me fokus në prioritizimin dhe efikasitetin që do të na ndihmojë të lundrojmë në mjedisin aktual dhe të dalim një kompani edhe më të fortë”.