Vetingu ka ngritur siparin edhe për vitin 2019. Në 4 janar, personi i parë që doli në seancën dëgjimore publike ishte Alltun Çela, kryetari i gjykatës së Sarandës. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në raportin e tij deklaroi se Çela kishte problem në të trija kriteret e rivlerësimit; të pasurisë, figurës morale dhe aftësisë profesionale.
Javën e ardhshme në seancën dëgjimore pritet të dalin emra të tjerë si, Arben Zefi kryetar i gjykatës së Shkodrës, Alfred Gjoni kryetar i gjykatës së Kurbinit dhe Gentian Jahjolli këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.
Gjatë janarit pritet që të tjerë prokurorë e gjykatës të mësojnë për fatet e tyre nëse do të vijojnë apo jo rrugëtimin në sistemin e drejtësisë.
Në vitin 2018, 42 gjykatës e prokurorë u konfirmuan në detyrë, ndërsa 35 të tjerë u shkarkuan pasi jo vetëm nuk justifikonin pasurinë por kishin lidhje edhe me eksponentë të ndryshëm të krimit të organizuar.
Teksa vetingu ka hyrë në rrjedhën normale, të gjithë i kanë kthyer sytë nga dy destinacionet kryesore të sistemit të drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorisë.
Kjo pasi këto institucione e kanë nisur funksionimin normal ,ndërsa pritet zgjedhja e prokurorit të ri të përgjithshëm dhe emërimi i anëtarëve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gara për kryeprokur me mandat kushtetues nuk u çel gjatë muajit dhjetorit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për shkak se institucioni nuk kishte një website zyrtar. Teksa pengesa është tejkaluar, brenda janarit Këshilli pritet të shpallë thirrjen, por më parë duhet miratuar rregullorja.
Në mbledhjen e 7 janarit, këshilli pritet të shpallë vendet vakante për prokurorinë e posaçme. Burimet nga këshilli thanë se mund të kandidojnë të gjithë prokurorët që kanë mbi 10 vite eksperiencë dhe që nuk kanë patur masë disiplinore në fuqi. Përjashtohen nga kandidimi anëtarët e këshillit.
Në lidhje me anëtarët e Gjykatës së Posaçme, Këshilli i Lartë Gjyqësor hapi garën në fund të dhjetorit të vitit 2018. Gjyqtarët e gjykatës për krime të rënda sipas ligjit mund të jenë përkohësisht anëtarë të Gjykatës së Posaçme, por më parë duhet të japin pëlqimin dhe familjarët e tyre, për kontrollin periodik të llogarive bankare si dhe të telekomunikimeve vetjake. E njëjta gjë vlen edhe për kandidatët për prokurorinë e posaçme.
Gjithashtu, secili nga këto kandidatë, duhet domosdoshmërisht të kalojnë edhe procesin e vetingut.