Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se vettingun e politikanëve, nismën që PD pritet të depozitojë në Kuvend ditën e mërkurë, e ka rekomanduar Komisioni i Venecias si dhe ka mbështetjen e gjerë të qytetarëve shqiptarë, të majtë apo të djathtë.
Basha tha në një prononcim nga selia blu, se PD do të dorëzojë edhe dy amendamente për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Sipas Bashës, vettingu i politikanëve është i domosdoshëm për të ndarë politikën nga lidhjet me krimin e organizuar, dhe pasuritë e pajustifikueshme.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
Më vjen keq që ndërpres një prej seancave të para të komisionit hetimor të masakrës zgjedhore, të cilit i uroj punë të mbarë. PD ka marrë vendimin për të depozituar brenda kësaj jave amendamentet për zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese të 30 korrikut. Amendamentin për reformën zgjedhore, për vettingun e politikanëve, për lidhjet e tyre me krimin e organizuar… SPAK të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo ministri, kryetari bashkie, deputeti, në lidhje me pasuritë, ligjshmërinë e tyre, në lidhjet me personat dhe ortakët e tyre. Dhe amendamenti i tretë ka të bëjë me reformën territoriale. Këto tre çështje janë përkthyer në një draft amendamentesh dhe depozitimi i tyre do të bëhet në ditët e ardhshme.
Është pikërisht komisioni i Venecias ai që ka shtruar rrugën dhe ka thënë që Shqipëria e ka të domosdoshëm vettingun e politikanëve. Do të shikoni nga amendamentet që do të bëhen publike, se vettingu i politikanëve ka të bëjë me një dëshirë nga socialistë e demokratë, qytetarë që duan një politikë jo të lidhur me krimin e organizuar dhe të mbushur me politikanë që nuk justifikojnë dot pasuritë e tyre. Me këtë hap i shërbejmë prioriteteve të shqiptarëve, asnjë nga këto çështje nuk është në favor të opozitës.