Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, e ka quajtur qesharak vettingun në politikë dhe ka deklaruar votën e tij kundër, ndërsa është ndalur gjatë tek protesta e studentëve. Ai i ka bërë apel opozitës të merren me studentët, pasi nuk janë kundërshtarë por shpëtimi. Nuk e ka kursyer edhe shigjetimin për PD-në, për të cilën tha se partia që u krijua nga studentët sot nuk flet gjuhën e tyre, ndërsa e majta e ka marrë mesazhin e tyre dhe po reflekton.
“Lëvizja studentore është një paralajmërim serioz për politikën që filloi me lëvizjen studentore, është rritur numri i njerëzve që nuk dinë t’i shpjegojnë dallimet mes nesh. Dje u hodhën vezë në emër të studentëve, me shumë dinjitet kanë qenë studentët që janë distancuar nga cdo akt dhune, cdo gjë që ka një fillim e ka një fund, nëse kjo lëvizje po na kujton këtë kjo kërkon reflektim dhe jo bërjen e trimit në Kuvend. Vetingu i politikës është vazhdim i kapitullit depersonalizues dhe fyes, politikani duhet të provojë se nuk është i lidhur me krimin, mbi bazën e kësaj logjike shpëton vetëm ai që sjell prova”, deklaroi Majko.
Ministri e ka quajtur këtë një proces ironik duke thënë se pafajësia e cdo individi jepet vetëm nga gjykata nga askush tjetër.
“Pas 5 vitesh në opozitë shqetësimi i së djathtës nuk duhet të ishte pastërtia e politikanëve, por të menaxhonte masën e të pakënaqurve dhe të diskutonte fitoren e zgjedhjeve. Vetingu është qesharak, pafajësia e cdo individi jepet vetëm nga gjykata nga askush tjetër, imagjinoni se gjendet politikan fajtor, ca ndodh, ikën në burg, ca bëjnë komisionerët apo i dërgojnë për riedukim, ky nuk është pastrim por turpërim publik i saj”, tha ai.
Ndaj për Majkon ky proces rrezikon të kthehet në teatër të radhës. “Nëse dikush do të ndërrojë elitën, kjo është mënyra e gabuar, revolta e studentëve janë sinjali se si sillemi me njërin-tjetrin rrezikon të shënojë fundin e një periudhe politike. Unë për asgjënë nuk votoj, ejani të merremi me studentët dhe kërkesat e tyre, nuk janë kundërshtarët tanë, janë shpëtimi ynë, mesazhin e tyre e majta e ka marrë dhe po reflekton kurse partia që u krijua nga studentët sot nuk flet gjuhën e tyre”, tha ai.