Vettingu shkarkon prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Adnand Xhelili

0
23

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Adnand Xhelili. Vendimi për prokurorin Xhelili është marrë nga trupa gjykuese e KPK e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Në seancën dëgjimore ai u përball me probleme të pasurisë së tij. Problemet kryesore që dolën nga relatimi në seancë dëgjimore lidhen me dy pasuritë kryesore të familjes së prokurorit Xhelili, një apartament me sipërfaqe 117 m2 në Tiranë dhe një vilë trekatëshe në Borsh të Lukovës.

Relatorja Shuli shpjegoi se Xhelili e kishte blerë apartamentin si i pastrehë nga Enti i Banesave në vlerën 1.1 milionë lekë dhe e ka shlyer për periudhën 1999-2005. Komisioni konstatoi mospërputhje të burimit të deklaruar në vitin 2003 me atë në deklaratën veting, pasi në të parën është shënuar kredia, ndërsa tek e dyta kursimet familjare.

Mospërputhje në deklarata është konstatuar edhe për vlerën e apartamentit. Shuli theksoi se prokurori Xhelili nuk ka dhënë fillimisht shpjegime për këto gjetje, por pas përfundimit të hetimit ka dorëzuar prova të reja, të cilat do të vlerësohen gjatë vendimarrjes.