Vettingun në polici do ta bëjë SHÇBA

0
19
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministria e Brendshme e drejtuar nga Sandër Lleshaj çon në qeveri një ligj të ri për vettingun në Policinë e Shtetit duke rrëzuar krejt paketën ligjore të hartuar në kohën e Fatmir Xhafajt. Sipas draftit që pritet të kalojë në qeveri, vettingun e Policisë dhe Gardës, do ta bëjë SHÇBA dhe jo komisionet e posaçme. Ndërkohë që drafti pritet të kalojë në qeveri, është e paqartë çfarë do të ndodhë me procesin e vettingut që tashmë ka disa javë që ka nisur me ligjin e vjetër të hartuar në kohën e Xhafajt.

Ministria e Brendshme ndryshon ligjin për vettingun në radhët e uniformave blu në një kohë kur procesi ka disa javë që ka nisur me verifikimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Në relacion thuhet se shkak kryesor për hartimin e ligjit të ri, ka qenë barra financiare e konsiderueshme në buxhetin e shtetit, e vlerësuar në rreth 3 milionë dollarë.

Drafti i ri lë në fuqi tri kolonat e profesionalizmit, pastërtisë së figurës dhe verifikimit të pasurisë, por parashikon  ngritjen e vetëm një komisioni me 15 anëtarë e duke shkrirë dy komisionet e tjera që parashikohej të kishin rreth 240 punonjës.

Në ndryshim nga ligji i hartuar në kohën e Fatmir Xhafaj, që parashikonte nisjen e vetingut nga drejtori i përgjithshëm i policisë dhe vazhdimin e procesit me nivelin drejtues, të mesëm dhe ata të rolit bazë, drafti i lleshajt parashikon që dy komisionet e tjera të mos ngrihen fare dhe punën e tyre ta bëjë SHÇBA.

Drafti i fundit i hartuar nga Ministria e Brendshme parashikon që së pari në vetting të kalojnë efektivat e SHÇBA dhe më pas, të jetë kjo strukturë që do të bëjë kontrollin e efektivave të tjera.

Sipas relacionit shpjegues të projektligjit, angazhimi i SHÇBA në procesin e vettingut në shkallën e dytë dhe të tretë shkurton në mënyrë drastike shpenzimet por edhe kohëzgjatjen e procesit.

Në ligjin e dërguar për miratim në qeveri, Ministria e Brendshme thekson se SHÇBA ka në arkivat e saj materiale për efektivat e Gardës dhe Policisë së Shtetit ndërkohë që nëse vettingun do ta bënin komisionet, atyre do tu duhej të kërkonin nëpër institucione për ditë e javë të tëra, të dhëna që SHÇBA i ka në arkivën e institucionit.

Ndërkohë që drafti i ri pritet të miratohet në qeveri, ende nuk është e qartë çfarë do të ndodhë me vettingun e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që tashmë ka nisur bazuar në ligjin e kohës së Fatmir Xhafajt.

 

 

Zjarr Tv Ad