Ngjarjet e ndodhura së fundmi në Shkodër, ka tensionuar edhe më shumë situatën në vend. Kjo ka sjellë dhe një reagim, ku polica dhe dhe forcat speciale kanë zbarkuar në Shkodër. Një aksion ‘blic’ ka nisur që në orët e para të ditës, konkretisht në fshatin Dobraç, në lagjen Rus dhe Kiras.
Zona është blinduar me snajperistë, autoblinda në rrugë, si dhe FNSH, RENEA dhe forcat operacionale nga Tirana, duke çuar në fund thirrjet e shpeshta të ardhura nga kreu demokrat Basha, dhe jo vetëm.
Burimet paraprake bëjnë me dije se uniformat blu kanë kryer kontrolle në disa banesa, pas ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në tre muajt e fundit, ku përgjatë kësaj kohe janë kryer 6 vrasje, ndërsa dy persona rezultojnë ende të zhdukur.
S’ka ende një informacion zyrtar nëse ka të arrestuar.
Kujtojmë që të hënën, opozita preferoi të mos marrë pjesë në seancën e parë të stinës së re parlamentare, por të mblidhej në Shkodër, për një mbështetje simbolike ndaj qytetarëve.
Opozita bojkotoi Kuvendin në nisje të sesionit të ri, si një mesazh qëndrese ndaj krimit që ka goditur Shkodrën.
Basha tha se Shkodra po përjeton situatën më të rëndë kriminale të 27 viteve demokraci dhe se në më pak se tre muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer dy persona.