49-vjeçari Shpetim Kanda ishte i dënuar 2 herë më parë, për vrasje dhe për vrasje të mbetur në tentativë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hoxhara”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Fier.
Kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.
49-vjeçari, i dënuar 2 herë më parë, për vrasje dhe për vrasje të mbetur në tentativë.
Shërbimet e Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Fier, bazuar në inteligjencën informative për një shtetas me rrezikshmëri shoqërore që mund të qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Hoxhara”.
Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Hoxharë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– Sh. K., 49 vjeç, banues në Fier, i dënuar 2 herë më parë, për veprat penale “Vrasja”, “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, dhe një krehër me municion luftarak.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonte ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.