Vijojnë Shqetësimet në Lokalet e Natës. Pronari përplaset me policinë

0
18

I kthyer në një shqetësim për banorët e lagjes “10 Korriku” për shkak të zhurmës që shkaktonte çdo natë, një nga lokalet në qendër të qytetit të Beratit është mbyllur dje në mbrëmje nga policia për disa orë. Ankesat e shumta të qytetarëve në numrin e policisë 129 kanë detyruar patrullat e policisë të shkojnë në ambjentet e këtij lokali dhe të kërkojnë “uljen e zërit” dhe respektimin e rregullave. Por, mbërritja e forcave të policisë në lokal ka shkaktuar irritimin e pronarëve të cilët janë konfliktuar me policinë dhe jo vetëm.           Ata janë konfiktuar verbalisht edhe me gazetarët që ishin duke filmuar aksionin e policisë, duke u kërkuar me forcë largimin e tyre. Pas kësaj, pranë ambjenteve të lokalit “Shisha Dream” që ndodhet shumë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë, kanë shkuar përforcime të tjera policore, që kanë bërë edhe shoqërimin në polici të shumë personave, mes tyre edhe të pronarit të lokalit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se,po proçedohet penalisht pronari i lokalit, shtetasi M.Ç,51-vjeç,banues në Velabisht,ndërkohë që janë sekuestruar nga policia edhe pajisjet muzikore të lokalit. Burimet zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat konfirmojnë, se për shkak të muzikës së lartë dhe zhurmës që ky lokal krijon në zonë,ai është kthyer në shqetësim për banorët e pallateve dhe shtëpive përreth që çdo natë ankohen duke kërkuar ndihmën e policisë.

Komunikata e Policisë
Berat

Vijojnë kontrollet e pandërprera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Berat, në subjektet tregtare, për respektimin e protokolleve të sigurisë. Procedohet penalisht pronari i një lokali, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Sekuestrohen disa pajisje muzikore të lokalit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat vijojnë kontrollet ndaj subjekteve që nuk respektojnë protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijojnë aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Nisur dhe nga shqetësimet e qytetarëve, se në lagjen “10 Korriku”, një lokal vendoste muzikë të lartë, tej normave të lejuara, forcat e Policisë shkuan menjëherë aty dhe pas konstatimit të muzikës së lartë iu komunikua pronarit të lokalit se duhet të ulte muzikën, gjë e cila nuk u zbatua pas largimit të punonjësve të Policisë. Në këto kushte punonjësit e Policisë kanë shkuar përsëri për kontroll dhe në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronari i lokalit, shtetasi M. Ç., 51 vjeç, banues në Velabisht. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet muzikore të lokalit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.