Vijojnë vatrat e zjarrit në Veri Jug dhe Shqipëri e Mesme/Flet Kreu i Emergjencave Civile për situatën

0
27

Vatrat e zjarrit janë krijuar prej dy ditësh dhe akoma nuk po arrihet që të mbahen nën kontroll. Zjarret në vendin tonë vazhdojnë që të pushtojnë sipërfaqe të tëra me pemë. Prej ditës së djeshme një sipërfaqe pylli me pisha ka marrë flakë në fshatin Siman të malit të Koshnicës. Sipas informacioneve, zjarri akoma nuk është shuar dhe vazhdojnë të dalin shllunga tymi. Sipërfaqe të tëra me pisha janë djegur për shkak të përhapjes së zjarrit. Zona është e vështirë e malore ka penguar ndërhyrjen e automjeteve të zjarrfikëses dhe e vetmja zgjidhje është ajo e ndërhyrjes në terren me mjete rrethanore. Në ndihmë të zjarrfikëses së Gramshit ka ardhur edhe zjarrfikësja e Cërrikut. Ndërkohë vatra e zjarrit është aktivizuar sërish edhe në fshatin Molung në Grykën e Qafë Thanës, mbi fshatin Katund i Vjetër në Rubik, ku është djegur një sipërfaqe e madhe me lis, shkozë dhe gështenja. Zjarri vazhdon me intensitet dhe nuk po merren masa për ndërhyrje më të specializuar në shuarjen e flakëve. Këto vatra zjarri kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme nga ajri dhe toka, pasi dëmet e zjarrit janë të pallogaritshme dhe rrezikojnë shtëpitë e banorëve të zonës.

Zjarret në vend/ Çako: 168 vatra në total, shumica të qëllimshme! Ndëshkime për Bashkitë që kërkojnë direkt ndihmën e FA

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka njoftuat se përgjatë muajit korrik janë evidentuar në të gjithë vendin tonë 168 vatra zjarri, kur shumica prej tyre janë të qëllimshme. Në në deklaratë për mediat, Çako ka bërë me dije se janë djegur 598 hektarë sipërfaqe si pasojë e flakëve, teksa u ka dhënë një mesazh të fortë të gjitha bashkive që nuk janë treguar bashkëpunuese në këtë situatë.
Ai është shprehur se disa prej tyre, por pa përmendur emra konkret, kërkojnë ndërhyrjen nga EC pa i ezauruar të gjitha kapacitetet e tyre, që për të cilin theksoi se është në shkelje të ligjit, duke i paralajmëruar se do të mbajnë përgjegjësi. “Vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri. Shumica e vatrave të qëllimshme. Në gjithë Shqipërinë janë prekur nga zjarri 598 hektarë sipërfaqe. Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC në gatishmëri të plotë. Në komunikim të vazhdueshëm me prefektët e stafet e bashkive. Disa bashki janë angazhuar maksimalisht në përballimin e zjarreve. Disa bashki ende sot nuk po përdorin asetet e deklaruara për emergjencat. Bashkitë, të parat që duhet të përballojnë fatkeqësitë. Disa bashki kërkojnë ndërhyrjen e FA pa ezauruar më parë kapacitetet e tyre. Sipas ligjit, FA ndërhyjnë vetëm pas ezaurimit të resurseve në nivel vendor. Bashkitë që nuk zbatojnë ligjin do të përballen me penalitete. Po ndjekim në kohë reale situatën në çdo vatër zjarri. FA janë në gatishmëri të plotë për t’ju përgjigjur çdo përkeqësimi situate. Pushteti vendor dhe Policia të bashkëpunojnë për gjetjen e autorëve të zjarreve”, tha Çako në daljen e tij për mediat.

Forcat e ushtrisë mbërrijnë në Seman të Fierit për të shuar vatrat e zjarrit

Forcat e ushtrisë mbërrijnë në Seman të Fierit, ku vatra të shaumta po përpijnë sipërfaqe të mëdha tokash. 40 forca janë në vendngjarje për tu ardhur në ndihmë zjarrfikësve që ndodhen aty.

Digjen 5 hektarë ullishte në Nikël të Krujës, asnjë ndihmë nga autoritetet për zjarrin në Rubik, zjarrfikësit: Është i qëllimshëm.

Fshati Zezë i Niklës në Krujë është përfshirë nga zjarri duke djegur një sipërfaqja e djegur mbi 5 hektarë ullishte. Për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikësja e Krujës dhe ajo e Kamzës, pasi zjarri ka një shtrirje të madhe dhe është mes dy vendeve. Sipas zjarrfikësve, zjarri është i qëllimshëm. Në këtë zonë janë me dhjetëra zjarrvënie të qëllimshme ketë muaj dhe asnjë prej personave përgjegjës nuk është ndaluar. Nga prokuroria e Krujës nuk ka asnjë procedim penal për këto ngjarje të njëpasnjëshme. Deri më tani asnjë masë nuk është marrë për shuarjen e flakëve në fshatin Molung mbi Katund të vjetër në Rubik. Zjarri vijon me intensitet dhe pse kanë kaluar mbi 2 ditë dhe asnjë nga strukturat e shtetit nuk ka shkuar për të shuar flakët. Gjithashtu flakët kanë përfshirë edhe një sipërfaqe të mbuluar dhe me shkurre e bimësi të ndryshme.

Zjarri vijon të përfshijë sipërfaqe me pisha në Seman, priten përforcime nga ushtria.

Zjarri vazhdon të përfshijë sipërfaqe të tjera të mbjella me pisha dhe shkurre duke e bërë situatën më alarmante në Godull të Semanit. Në vendngjarje kanë ardhur përforcime, ku përveç zjarrfikësve nga Fieri, ndodhen tashmë edhe reparte nga Patosi dhe Albpetroli. Në këto kushte duhet ndërhyrje nga ajri pasi nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të papërshtatshëm. Në orët në vazhdim pritet qe në ndihmë të zjarrfikëseve të vijnë forca te ushtrisë.

Zjarrvënie e qëllimshme në Gjirokastër, policia shoqëron 4 persona  

Në zonën malore të fshatit Zhulat në Bashkinë e Gjirokastrës janë katër vatra aktive zjarri. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, për shkak të terrenit të vështirë është bërë e vështirë shuarja e flakëve.

Me dhjetëra hektarë janë shkrumbuar, ndërsa mësohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.

Policia ka shoqëruar disa persona në komisariat.

Vijon zjarri në pyllin e Semanit, digjet një pjesë e kurorës së pishave

Vijon zjarri në pyllin e Semanit, i cili ka rënë që prej ditës së djeshme duke djegur pishat dhe shkurret e zonës.
Gjatë gjithë natës zjarrfikësit janë përpjekur që të shuajnë vatrat e zjarrit, por për shkak të terrenit të vështirë vënia nën kontroll e flakëve ka qenë shumë e vështirë. Flakët janë favorizuar nga shkurret dhe era, duke bërë që të digjen edhe pjesë të kurorës së pishave në Pyllin e Semanit.