Vijon Hakmarrja e Ramës ndaj Lelit/ Kërkon skenën e Teatrit të Vlorës…

0
94
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në tryezën e punës së Dritan Lelit, pasditen e djeshme, ka mbërritur një ftesë për ballafaqim. Letra e nënshkruar nga 45 anëtarë të Këshillit Bashkiak, ku Kryetarit të Bashkisë i kërkohet llogari për mungesën e shërbimeve në qytet me tone ultimative. Ftesa ngjan më shumë me një fletë-thirrje për gjyq publik të organizuar nga Partia Socialiste, për të cilin kërkohet skena e Teatrit të Vlorës Petro Marko.

Nga gjuha e përdorur, kuptohet se rrokullisja e Lelit sapo ka filluar, por drejtuesit e partisë kanë rënë dakort që përveç largimit, atij t’i rezervohet edhe një linçim publik shembullor, nga ato që organizoheshin në diktaturë. Anëtarët e Këshillit Bashkiak i drejtohen Lelit duke i thënë se duan ballafaqim “nga shqetësimi i rritur i komunitetit vlonjat për gjendjen e pashpjegueshme të shërbimeve vendore”. Me pak fjalë si dënimi, ashtu edhe ftesa i vjen në emër të popullit.

Ndërsa e fajësojnë se po e kthen Vlorën në “delen e zezë” të turizmit shqiptar, socialistët i thonë se në ballafaqim do të jetë edhe Edi Rama. “Kur qeveria dhe shteti kanë bërë gjithçka për të lehtësuar sezonin turistik, Bashkia Vlorë nuk mund të kthehet në delen e zezë të turizmit shqiptar për plehra, gropa dhe indiferentizëm fyes nga pushteti vendor. Në mbledhje duhet të ftohen edhe deputetët e Vlorës, përfshirë edhe kryeministrin dhe deputetin tonë Z.Edi Rama”.

Është e qartë se pakënaqësitë për pastrimin, rrugët me gropa, apo shërbimet e munguara për qytetarët janë vetëm një pretekst. Sepse në realitet, socialistët e Vlorës po i ngrenë kryetarit të tyre një pusi për ta ndëshkuar dhe më pas shkarkuar nga detyra, sepse ai guxoi të mos i bindej kërkesës së Edi Ramës për dorëheqje. Fati i Dritan Lelit u shenjua me fitoren e mandatit të tretë dhe tani nis hakmarrja e Ramës. Dorëheqjen e Lelit, kryeministri e kërkoi në heshtje disa muaj para zgjedhjeve. Përgjigjia negative nuk ishte si opsion, madje ishte bërë gati edhe zëvëndësuesi, Afrim Qendro, krahu i djathtë i drejtuesit politik të PS në këtë qark, Damian Gjiknuri.

Shkak i nxjerrjes së Lelit nga zyra e Bashkisë ishte degradimi i marrëdhënies mes tij dhe Gjiknurit, që krijonte një ngërç të pakapërcyeshëm në prag të fushatës së 25 Prillit. Refuzimi i Lelit për të dhënë dorëheqjen u pasua me shantazhe të forta, ndërsa në kujtesën e të gjithëve ishte fundi që iu rezervua paraardhësit të tij Shpëtim Gjikës. Mbetet për t’u parë se sa gjatë do ta mbajë Leli presionin. Në anën tjetër Rama, i gjithëpushtetshëm, kërkon që për dramën e Lelit të përdorë skenën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës.

 

Zjarr Tv Ad