Sot nis viti i ri akademik 2022-2023. Ndryshe nga vitet e tjera ky vit nis me protesta nga pedagogët të cilët kërkojnë që tju plotësohen kërkesat që kanë.
Pedagogët kanë njoftuar se sot me nisjen e vitit akademik do të jenë në Univeristete nga ora 08:00 deri në orën 10:00, ku do të mirëpresin studentët e vitit të parë dhe më pas do të vijojnë protestën e tyre.
Protesta pritet që të nisë në orën 10:00. Sindikatat dhe profesorët e universiteteve publike të Shqipërisë kanë njoftuar se nuk do të nisin vitin akademik, nëse qeveria nuk plotëson 9 kërkesat e peticionit të tyre.
Pedagogët kërkojnë rritje 50 për qind të pagave bazë sipas titujve shkencorë në dy faza, vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet dhe për orët e mbingarkesës shtesë në mësimdhënie, rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë, si dhe transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.